Nga Sokol Paja-New York
New York, 26 Shkurt 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, në përkujdesjen e veçantë të degës së Vatrës Ridgeëood nderoi me mirënjohje në 1 vjetorin e vdekjes Ramazan Rragamin, legjendën e futbollit shqiptar.
Me pjesëmarrjen e shumtë të patriotëve shqiptarë në New York, kryetarëve të shoqatave shqiptare në New York e më gjërë, të autoriteteve më të larta të Vatrës e vatranë të shumtë, ceremonia e nderimit në Selinë Qëndrore të Vatrës e riktheu në mendjen e zemrën e çdo shqiptari Zan Rragamin.
Nën interpetimin në instrumental të himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Republikës së Shqipërisë nga artisti Lekë Negri, në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha deklaroi se: “Zan Rragami shkroi me germa te arta emrin e tij ne historine e futbollit shqiptar. Ne do ta kujtojmë dhe do ta nderojmë gjithmonë kontributin që ai ka dhënë për futbollin shqiptar. Perjete mirenjohes per çfare i dha futbollit ne Shqiperi Ramazan Rragami. Brezat do ta kujtojne si referencë historie, model suksese dhe krenarie”.
Zotit Ramazan Rragami (Pas vdekjes) Vatra e nderoi me mirënjohje me motivacion: “Për kontributin e jashtëzakonshëm në futbollin shqiptar, për ndihmën e dhënë në themelimin e degës së Vatrës së Ridgeëood, për angazhimin dhe kontributin në promovimin e vlerave më të larta kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka në mesazhin e dërgur me këtë rast të lexuar nga Editori i i Diellit ndër të tjera cilësoi se: “Një vit pas largimit të tij nga jeta, i gjithë komuniteti i futbollit, qyteti që e lindi dhe e rriti dhe është krenar për të, miqtë e shumtë, shokët, familjarët, unë personalisht, e ndjejmë thellë mungesën e tij. Por siç ndodh gjithmonë kur flitet për legjendat, ky boshllëk plotësohet nga kujtimet e panumërta që ai ka lënë. Nga sukseset dhe histori plot lavdi, që në vërtetë janë një pjesë e historisë së futbollit shqiptar”.
Gazetari Ylli Dosku kryetar i degës së Vatrës në Ridgewood në fjalën e tij theksoi se: “sot jemi mbledhur për të nderuar një legjendë të futbollit shqiptar dhe qytetit të Shkodrës Ramazan Rragamin. Nderimet dhe vlerësimet nuk i kanë munguar kurrë për kontributet si futbollist e trainer, por ne jemi këtu për ti dhënë nderimin si ambasador i shkëlqyer i kombit tonë në 4-5 vitet e fundit kur jetonte mes Kanadase dhe Amerikës, por më shumë në Queens New York”. Muhamet Omari solli për të pranishmit episode sportive në qytetin e Shkodrës nga periudha e artë e Vllaznisë dhe kombëtares kur luante Ramazan Rragami, ndërsa Bashkim Musabelliu anëtar i kryesisë së Vatrës solli në kujtëse bisedat me Ramazan Rragamin në New York dhe cilësitë e tij të veçanta si njeri i rradhë, si sportist dhe patriot.
Në përfundim të ceremonisë djali dhe vajza e Zan Rragamit, Petriti e Stela përshëndetën e falenderuan organizatorët e komunitetin shqiptar për respektin e treguar dhe i dhuruan Vatrës një libër mbi jeten e vepren e Zan Rragamit pergatitur nga Fadil Kraja. Petrit Rragami falenderoi në emër të familjes duke thënë se: “Nderimi, kujtimi dhe respekti juaj për babain tonë e bëjnë atë të paharruar dhe të përjetshëm në kujtimet tona. Mirënjohje përjetë”.
Takimi u mbyll me biseda të ngrohta vëllazërore në pëkujtim epokës së artë të Vllaznisë, kombëtares së futbollit dhe të legjendës së gjallë të futbollit shqiptar Ramazan Rragami.