Java e 14-të e Kampionatit të futbollit amator 9×9 “FSHF Sunday League”, organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, ka regjistruar humbje për ekipin shkodran, Panthers MFC.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Fatmir Axhani që konkuron në grupin A, është mundur nga ekipi MD me rezultatin 3-2 duke mbetur në vendin e tretë të tabelës së klasifikimit me 28 pikë.
Tabelën e klasifikimit vazhdon ta kryesojë ekipi Prestige MFC me 39 pikë, pavarësisht humbjes së fundit me rezultatin 4-2 me VILA-L MFC. Në vendin e dytë vjen KKD me 32 pikë, pas fitores me goleadë në sfidën e fundit në shifrat 8-1 ndaj Ferraj FC.
Ndërkohë, pas Vllaznisë së vendit të tretë, në vend të katërt renditet ROAMEL që ka 28 pikë e 27 pikë e që këtë javë triumfoi 6-0 ndaj North Gate. FC Dussel gjithashtu fitoi 2-1 ndaj FB Passion dhe mban vendin e 5-të me 25 pikë, teksa në vendin e gjashtë është VILA-L MFC me 25 pikë.
Në sfidat e tjera të javës BTL barazoi 1-1 me COCA COLA TEPELENA dhe po barazim 1-1 përfundoi edhe dueli tjetër JU AR PLAST-ALBAMER. Ndërkaq, JATA MARKET mundi 3-0 Pastaria dhe ANTIGNEAN mposhti 2-0 Futura Dent.
Në Grupin B, janë luajtur një pjesë të ndeshjeve të javës së 13-ët dhe 14-të teksa në krye vazhdon të qëndrojë Dajti me 36 pikë pas fitores 3-1 me ELSO, i ndjekur nga Kastrioti me 34 pikë në vendin e dytë, që gjithashtu fitoi ndeshjen e fundit 4-1 ndaj Barrikadës. Në vendin e tretë renditet ATS me 30 pikë, ndërsa IMMI mbetet në vendin e katërt me 27 pikë pas humbjes së fundit 1-0 me SECURITY OKTAPUS.
Pas tyre në renditje vijnë Hidro Alfa dhe Al Ar me 25 pikë secila, ndërsa Friends Team shkon në vendin e shtatë pas fitores 3-0 me Enco Al. Sakaq, PRIMO MFC mundi 4-2 FC Confucius dhe pozicionohet në vendin e 9-të.