Thursday, March 28, 2024

EKSKLUZIVE/ “Partizani, më i madh se Vllaznia”, Da Silva: Do të bëjmë të pamundurën për të shkuar në gjysmëfinale.

Lexo

I ardhur në verë nga Vllaznia, Viktor da Silva është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Partizanit në këtë sezon. Braziliani duket se ka gjetur veten shpejt te të kuqtë dhe ka arritur herë pas here të shpëtojë skuadrën me golat e tij, siç bëri ndaj Vllaznisë, ku shmangu humbjen me një gol mjaft të bukur.

Pavarësisht se ka lënë gjurmë në Shkodër, kjo nuk e ka penguar Da Silvën ta ndëshkojë dy herë në tri ndeshje ish-ekipin. Në një prononcim ekskluziv, të parin ndonjëherë si lojtar i Partizanit, posaçërisht për “Panorama Sport”, Da Silva tregon përshtypjet e tij për barazimin me Vllazninë në kampionat.

Ai gjithashtu premton maksimumin për përmbysjen në Kupë. 28- vjeçari tregon çfarë do të donte të ndryshonte në ecurinë e tij këtë sezon, kundërshtarin më të fortë dhe diferencën mes Partizanit dhe Vllaznisë.

Dëshironit që goli juaj të vlente më shumë se 1 pikë?

Sigurisht, mendoj se luajtëm mirë. Krijuam raste për të shënuar, por fatkeqësisht nuk arritëm të shënonim. Në fund një pikë është gjithmonë më e mirë se asnjë.

Pse mendoni se keni vuajtur ndaj Vllaznisë në dy ndeshjet e fundit?

Nëse duhet të tregohem i sinqertë, Vllaznia na mposhti në Kupë për gabime individuale nga ana jonë. Ndeshja e fundit në kampionat ishte e balancuar dhe me aq sa treguam, edhe mund ta kishim fituar. Megjithatë, asgjë nuk e pengon faktin se Vllaznia është një ekip shumë i fortë dhe ka lojtarë plot cilësi në organikë.

A mund të themi se, duke parë se si shkoi ndeshja, 1 pikë ishte rezultat i drejtë?

Po, le të themi se një pikë në një transfertë të tillë, për mënyrën se si shkoi ndeshja, është një rezultat i kënaqshëm.

Sa i kënaqur jeni me performancën tuaj në këtë sezon?

Jam i lumtur, sepse skuadra po shkon mirë. Padyshim që gjithmonë dua të luaj dhe të jap më shumë për ekipin, veçanërisht në këtë moment vendimtar të kampionatit, ku cilësitë e mia mund të bëjnë diferencën në ndeshje.

Çfarë do të dëshironit të ishte ndryshe në këtë sezon?

Do të doja të ishte ndryshe për sa u përket dëmtimeve. Dua të jem më i qëndrueshëm gjatë sezonit për sa i përket pranisë sime në fushë.

Cili është pozicioni juaj i preferuar?

Nuk kam ndonjë preferencë të veçantë. Por mendoj se në pozicionin e fantazistit mund të jem më vendimtar për ekipin.

Mendoni se mund ta përmbysni humbjen e parë 3-1 në Kupë ndaj Vllaznisë?

Duhet të besojmë gjithmonë, pavarësisht rezultatit jo të favorshëm. Asgjë nuk është e pamundur, ndaj do të përpiqemi të bëjmë më të mirën për të kaluar në gjysmëfinale.

Si është të luani dhe të shënoni kundër ish-klubit tuaj?

Padyshim që ka një efekt emocional, pasi kam jetuar dy vite në Shkodër, kujtime, të cilat do t’i ruaj gjithnjë me zemër dhe me respekt. Gjithsesi, në fushë ata janë kundërshtarët e mi dhe unë gjithnjë do të përpiqem t’u shënoj për të ndihmuar ekipin tim.

Ku ndryshon Partizani nga Vllaznia?

Diferenca është te madhështia e Partizanit, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit… Më pas derbi flet vetë. Atmosfera e kësaj ndeshjeje nuk krahasohet me asnjë ndeshje tjetër në Shqipëri.

Cili është mbrojtësi që ju ka vënë më së shumti në vështirësi në Shqipëri?

Mbrojtësi i vetëm ndaj të cilit ka qenë një luftë e vërtetë është Zhoselin Behiratçe. Ia kam thënë edhe drejtpërdrejt, është shumë i fortë.

Mund ta thyeni në këtë sezon rekordin prej 8 golash të shënuar vjet me Vllazninë?

Po punoj për këtë, nëse nuk mund të bëj më shumë, të paktën ta përsëris nuk do të ishte keq. Dua që gjithashtu të koleksionoj sa më shumë asistime për shokët e mi.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img