Me ftesë të Rektorit të Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Gjuraj, dy përfaqësuesit e Klubit të Futbollit Vllaznia, drejtori sportiv, Auron Miloti dhe trajneri i përgatitjes fizike Mihail Tzokov, morën pjesë në një bashkëbisedim të hapur me student e BA, të Edukimit Fizik dhe Sporteve.
“Futboll në Auditor”, ishte tema e një seminari të zhvilluar me një bashkëbisedim të hapur ku dy përfaqësuesit e klubit kuqeblu përcollën eksperiencat e tyre personale në postet që ato drejtojnë si dhe nga bagazhi i karrieres së tyre sportive në vite. Njëkohësisht, Miloti dhe Tzokov folën edhe rreth sfidave të reja të futbollit modern në ditët e sotme.
Ftesa e bërë nga kreu i Universiteti Europian i Tiranës, shkodranit Tonin Gjuraj, i spikatur prej vitesh edhe si një tifoz i zjarrtë i Vllaznisë, është një vlerësim, jo vetëm për Milotin dhe Tzovkov, dhe rolin e rëndësishëm që ato luajnë në ecurinë e futbollit shkodran, por edhe për vetë autoritetin e klubit kuqeblu, padyshim më i vjetri në historinë e e futbollit shqiptar, aktualisht pretendent për fitimin e dy trofeve të sezonit, Kupë dhe Kampionat.