Trajneri i Teutës, Edi Martini, ka qenë i lumtur për fitoren e skuadrës së tij ndaj Erzenit. Por ai ka theksuar se ky është thjesht një tjetër hap i skuadrës së tij e cila për momentin nuk ka siguruar asgjë, si sa i përket mbijetesës, ashtu edhe zonës së skuadrave që luftojnë për Europën.
“Ishte ndeshje delikate, na duheshim me patjetër pikët. Kishim Erzenin tre pikë para, më gëzon fakti i fitores se këta djem me përjashtim të sfidës ndaj Partizanit ku ishim në ditë të keqe. Edhe ndaj Laçit, Bylisit e Vllaznisë nuk e kanë merituar rezultatin. Ndoshta edhe fati nuk ka qenë me ne, më bëhet qejfi për djemtë se e kanë merituar në fushën e lojës.
Kampionatit po i vjen fundi, ndeshjet bëhen shumë të rëndësishme. Nëse më pyetni në këtë moment them se preferoj më mirë një lojë të keqe e të marr tre pikët se janë të rëndësishme. Kur edhe rezultati, edhe loja është e mirë, nuk është se kemi bërë një gjë të madhe, por kemi mudur Erzenin, nëj rival direkt për pozitat ku jemi. Kemi ndeshje të mërkurën e të shtunën, të fokusohemi se në fund të fundit kemi bërë punën.
Normalisht Teuta çdo vit ka luajtur për të siguruar Europën, nuk kemi luksin të bëjmë rotacion. Do të mundohemi të bëjmë rotacion, se edhe Kotobelli e Qaqi kanë probleme. Do ta shohim deri të mërkurën si do të jemi. Por do të fus 11-shen më të mirë që do të kemi.
Sot djemtë dhënë maksimumin. Vila ka prirë skuadrën me gola. Kallaku ka bërë një ndeshje të shkëlqyer në të dy fazat, por dua të komplimentoj të gjithë ekipin.
Penalltia e Çyrbjes? M’u drejtuan lojtarët me radhë, edhe Kallaku që do e gjuante normalisht. Çyrbja u bë baba dje, i urojmë jetë të gjatë. Ishte vendim i djemve për këtë arsye. Nuk isha në dijeni, por megjithatë iku”, tha Martini.