Ashtu siç paralajmëruam edhe më herët, në orën 15:00 të pasdites së sotme është hedhur në Nion të Zvicrës shorti i turit të parë të UEFA Europa Conference League. Në praninë e dy përfaqësuesve të KF Vllaznia, Blendi Dibra dhe Artan Brahimi, përzierja e goglave ka fiksuar çiftin, Linfield FC- KF Vllaznia.
Linfield, është një nga skuadrat më simpatike të Irlandës së Veriut, e cili përgjithësisht ka qënë pjesë e vazhdueshme e Kupave të Europës. Një kundërshtar për t’u marrë në konsideratë, por në një farë mënyre me mundësi kualifikimi për Vllazninë.
Shorti ka vendosur gjithashtu që kuqebluve u duhet të udhëtojnë në Irlandën e Veriut për të luajtur ndeshjen e parë në transfertë me datë 13 korrik, ndërkohë që pas dy javësh do të presin Linfield FC në shtëpi.
Sipas specialistëve të futbollit, luajtja e ndeshjes së parë në transfertë konsiderohet pozitive për Vllazninë, e cila në sfidën e dytë ka më shumë shanse të zyrtarizojë kualifikimin përpara tifozëve të saj në stadiumin “Loro Boriçi”.