Futbolli i moshave për kategorinë Superiore ka nisur këtë fundjavë me ndeshjet e javës së parë të Kampionatit Kombëtar. Ndeshje këto që vijnë menjëherë pas eleminatoreve të Kupës së Shqipërisë për moshat, ku për t’u luajtur kanë mbetur tashmë vetëm dy finalet, Vllaznia-Tirana për U-19 dhe Akademia Futbollit-Shënkolli për U-17, zhvillimi i të cilëve pritet të vendoset këto ditë nga FSHF.
Shënkolli-Vllaznia ishte më interesant i javës së parë të fazës së dytë për kampionatin e moshës U-17. Ndeshje kjo që ka përfunduar me rezultatin 3 me 1 në favor të ekipit vendas të Shënkollit. Futbollistët e Shënkollit në harkun kohor të 16 minutave shënuan dy herë në portën shkodrane me të njëjtin autor, Lekajn, përkatësisht në minutat 13-të dhe 16-të. Goli i shënuar nga kuqeblutë me anë të Dodajt në minutën e 23-të e riktheu Vllazninë përsëri në lojë duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 2 me 1 për vendasit.
Ndërkohë që në pjesën e dytë pritej një rritje më e madhe e lojës së Vllaznisë në kërkim të golit të barazimit, ndodhë e kundërta, pasi Shënkolli duke shënuar me anë të Jakut në minutën e 59-të e thellon avantazhin në 3 me 1, rezultat ky që qëndron në fuqi deri në mbyllje të të gjithë takimit.
Me këtë fitore, ekipi i Shënkollit U-17 i drejtuar nga trajneri Klajti Reçi vazhdon të kryesojë tabelën e klasikimit në Kampionat, ndërkohë që është në pritje të finales së Kupës së Shqipërisë përballë Akademisë së Futbollit Tirana. Ndërsa, Vllaznia U-17 e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi, e cila është eleminuar nga Kupa në takimet çerekfinale, me humbjen e pësuar sot në Shënkoll, por edhe me ecurinë jo të mirë në fazën e parë të kampionatit, tregon se në këtë sezon futbollistik paraqitjet e saj janë larg pritshmërisë së opinionit sportiv shkodran si dhe drejtuesve të KF Vllaznia.