Me tetë afrime dhe 13 largime, Vllaznia e drejtuar nga Migen Memelli nis aventurën europiane më 13 korrik në transfertë kundër Linfildit të Irlandës së Veriut. Lëvizjet kanë qenë të shumta dhe duket sikur nga Shkodra është larguar më shumë se një skuadër, por gjithsesi nga titullarët e sezonit të kaluar, ka mbetur një bërthamë e mirë, që premton për një Vllazni dinjitoze.
Juriç, Smajli dhe Hakaj në mbrojtje, Alivoda dhe Boshnjaku në mesfushë, e gjithashtu Mala, Çoba dhe Balaj në repartin e sulmit, të bëjnë të besosh se skuadra e Memellit mund të jetë brenda pritshmërive në sezonin e ri, por natyrisht duke u fuqizuar me lojtarë cilësorë. Për portën është afruar Jurgen Mehidri nga Korabi, ndërsa për mbrojtjen kanë ardhur Redon Dragoshi nga Kukësi, Konstantin Çeshmedjiev nga kampionati bullgar dhe Millosh Stojanoviç nga Kastrioti. Për mesfushën është afruar Eslit Sala nga kampionati maltez, ndërsa për sulmin Ildi Gruda nga Teuta, si dhe Darko Dodev e Bujar Hajdari nga Maqedonia e Veriut.
Por çfarë ndryshon te Vllaznia me trajnerin e ri?
Së pari skema e lojës, pasi ajo tashmë do të jetë 3-4-3, me Memellin që kërkon më shumë siguri në mbrojtje. Ky repart ka pasur probleme të mëdha në sezonin e kaluar dhe shkodranët ishin nga ato skuadra që pësonin rregullisht.
Trajneri i ri është i fiksuar pas mbrojtjes me tre lojtarë qendre dhe aktualisht ata që pritet të jenë titullarë ndaj Linfildit janë: Çeshmedjiev, Juriç dhe Stojanoviç, të cilët janë provuar edhe në miqësoret e zhvilluara gjatë minifazës në Bosnje. Duke shtuar këtu edhe mbrojtësit e krahut, Smajli dhe Hakaj, Vllaznia dukshëm do të jetë shumë më e kujdesshme.
Në repartin e mesfushës baza është Alivoda që u zbulua në sezonin e kaluar dhe Boshnjaku. Me lojtarët që ka në dispozicion Memelli, ndryshimet më të prekshme janë në repartin e mbrojtjes në krahasim me formacionin e sezonit të kaluar. Mirëpo, gjithçka nis nga porta, aty ku Kristi Qarrit do t’i besohet një fanellë titullari që në ndeshjet evropiane pas largimit të Zogoviçit. Ndërsa në repartin e sulmit, Balaj është i sigurt në majë, por në këtë pozicion ka pak alternativa, me Hajdarin që është afruar së fundmi. Nga krahët e ofensivës janë 4 lojtarë për dy vende (Mala, Çoba, Gruda dhe Dodev).
ADMIR URUÇI