Ashtu si edhe shumë bashkëqytertarë të tij shkodranë, edhe portjeri i njohur i Vllaznisë, Paulin Ndoja, po e pret me shumë emocion ndeshjen e kthimit të turit të parë të Conferencë League.
I konsideruar si legjenda e portës kuqeblu në vite, Ndoja thotë se me fitoren e ndeshjes së parë në Irlandën e Veriut me rezultatin 3-1, skuadra kundërshtare Linfield ka hedhur një hap përpara drejt kualifikimit në turin e dytë. Megjithatë, Ndoja, që më herët ka provuar për shumë vite të jetë edhe në stafin teknik të Vllaznisë, beson shumë se kuqeblutë do të arrijnë ta përmbysin disavantazhin e ndeshjes së parë.
Sipas Paulin Ndojës, një nga pikat e forta të Vllaznisë është edhe porta, të cilën e mbron Kristi Qarri, një nxënës i tij, të cilin e ka stërvitur që në moshë të vogël.
Në vijim, veterani i futbollit shkodran, thotë se emocione të ndeshjeve të tilla i ka provuar kur mbronte portën e Vllaznisë, por edhe si pjesëtar i stafit teknik në detyrën e trajnerit të portjerëve, ku me mbështetjen e tifozëve ia kanë dalë me sukses. Ndaj, me këtë rast, I bën thirrje tifozëve shkodranë të mbushin stadiumin “Loro Boriçi” në mbështetje të kualifikimit të Vllaznisë.
(Video) Intervistën e plotë me ish futbollistin Paulin Ndoja, mund ta ndiqni të plotë në kanalin zyrtar Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU