Suedia është skuadra e katërt që kualifikohet për në raundin e 1/8 të finaleve të Kampionatit Botëror të Futbollit për femra në Australi e Zelandë të Re. Kjo pas Japonisë, Spanjës dhe Anglisë, të cilat pas ndeshjeve të dyta kanë 6 pikë.
Suedia ka shkatërruar Italinë, atje ku më së shumti dëmet për të kaltrat kanë ardhur nga goditjet e këndit të nordikeve. Ilested ka hapur serinë e golave për Suedinë në të 39’. Në fundin e pjesës së parë brenda një minute Rolfo dhe Blekstenius thellojnë në 3-0. Në pjesën e dytë sërish Ilested dhe në fundin e lojës Blomkvist dhe 5-0.
Më interesante sfida e grupit F mes Francës dhe Brazilit fituar nga francezet 2-1. Golit të Lë Somer në të 17’ i është përgjigjur Debinha. Por shtatë minuta nga përfundimi i takimit, Renard firmos fitoren e Francës, 2-1.
Xhamajkës i ka mjaftuar goli i Alison Suabit në të 56’ që të marrë fitoren ndaj Panamasë. Në përfundim të ndeshjeve të dyta në grupin F, Franca e Xhamajka kanë nga katër pikë, Brazili 3 dhe Panamaja 0. Në ndeshjet e treta, Xhamajkë – Brazil është sfidë që do të caktojë skuadrën e dytë të këtij grupi për në raundin tjetër, ndërsa Botërori i femrave është duke ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.