Kampionati i kategorisë “Abissnet Superiore” 2023-2024 do të ngrejë siparin fundjavën e ardhshme me ndeshjen e javës së parë. Siç bën me dije Departamenti i Garave në FSHF, ndeshjet do të jenë të ndara në dy ditë e përkatësisht në datat 26 dhe 27 gusht 2023.
Sakaq, për shkak të impenjimeve në UEFA Conference League, ku Partizani ndodhet në fazën play-off, dhe udhëtimi të gjatë në transfertën e Kazakistanit, klubi i Partizanit ka bërë kërkesë për shtyrjen e ndeshjes së javës së parë të “Abissnet Superiore” ndaj Teutës.
Me dakortësi të klubit Teuta dhe Federatës Shqiptare të Futbollit kjo ndeshje do të luhet në një tjetër datë që do të përcaktohet në një moment të dytë nga Departamenti i Garave në FSHF.
Sfida hapëse e sezonit do jetë ajo Egnatia-Skënderbeu, që luhet të shtunën duke filluar nga ora 17:00 për të vijuar me duelin Vllaznia-Kukësi, që do të startojë në orën 20:00. Të dielën do të zhvillohen dy ndeshjet e tjera Laçi Erzeni dhe derbi Dinamo-Tirana.
“Abissnet Superiore”, Java 1
Nr | Ndeshja | Data | Ora | Vendi |
1 | Partizani-Teuta | E shtyrë | ||
2 | Laçi-Erzeni | 27.08.2023 | 17:00 | Laç |
3 | Vllaznia-Kukësi | 26.08.2023 | 20:00 | Shkodër |
4 | Egnatia-Skënderbeu | 26.08.2023 | 17:00 | Rrogozhinë |
5 | Dinamo-Tirana | 27.08.2023 | 20:00 | Elbasan |