Marrëdhëniet dhe bashkëpunimet mes Shkodrës dhe Pukës në përgjithësi, por edhe ato në prizmin sportive, mes Klubit Vllaznia dhe Klubit Tërbuni, kanë qënë të pranishme edhe më herët. Por, marrëveshja e arritur më së fundmi në mes dy presidentëve të klubeve të futbollit, Alban Xhaferi(Vllaznia) dhe Rrok Dodaj(Tërbuni), pritet t’i japë një hop edhe më të madh zhvillimit të këtyre marrëdhënieve.
Ky i fundit, Rrok Dodaj, duke qënë edhe në detyrën e kryetarit të Bashkisë Pukë, pritet të afrojë mundësi bashkëpunimi edhe në infrastrukturën sportive. Konkretisht, në projekt është ndërtimit i disa fushave stërvitore në këtë zonë, fusha këto që do t’i shërbenin mjaft mirë jo vetëm Vllaznisë, por edhe ekipeve të tjera elitare në Rajon.
Në takimin zyrtar realizuar sot në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”, ku të pranishëm ishin dy presidentët përkatës, Alban Xhaferi dhe Rrok Dodaj, shoqëruar nga drejtorët sportiv, përkatës, Elvis Plori dhe Alfred Pjetri, zoti Xhaferi i dorëzoi homologut të tij Dodaj një çertifikatë Mirënjohje për kontributin e dhënë në bashkëpunimi mes dy klubeve përkatëse.
“Mbas ndeshjes miqësore të zhvilluar ditën e sotme ndërmjet Vllaznia U21 dhe Tërbunit, drejtuesit e të dy klubeve kanë patur një takim miqësor, ku u diskutuan të gjitha mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet tyre. Një bashkëpunim që mund të jetë në disa aspekte, duke filluar nga mundësia e huazimit të lojtarëve, dhënien e asistencës teknike, rritjet së elementit të ri me qëllimin e rritjes së nivelit të futbollit në Qarkun e Shkodrës etj. Njëkohësisht, duke vlerësuar klimën shumë kurative dhe të përshtatshme të Pukës për realizimin e fazave përgatitore të ekipeve të futbollit, kryetari i Bashkisë së Pukës, njëkohësisht president i KF Tërbuni, z. Rrok Dodaj, i premtoi presidentit Xhaferi mundësinë e ndërtimit të disa fushave stërvitore në këtë zonë, fusha këto që do t’i shërbenin mjaft mirë jo vetëm Vllaznisë, por edhe ekipeve të tjera elitare në Rajon.”, shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit kuqeblu.