Drejtoria Teknike e FSHF ka mbledhur sot përfaqësuesit e të gjitha shoqatave rajonale nga i gjithë vendi për të prezantuar projektin e ri për përfaqësueset rajonale. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm drejtuesit e shoqatave si edhe të gjithë trajnerët dhe drejtorët teknikë të çdo shoqate, të cilët punojnë çdo ditë në terren me fëmijët dhe ekipet përfaqësuese rajonale.
Ka qenë Drejtori Teknik Fulvio Pea ai i cili ka prezantuar programin për sezonin e ri, që është përgatitur duke pasur në vëmendje edhe detajet më të vogla të punës në përditshmëri si edhe ka shpjeguar edhe objektivat që duhen arritur, mbështetjen që do të japin trajnerët e ekipeve kombëtare e me radhë.
Sipas këtij programi, nga sezoni i ri sportiv projekti i ekipeve përfaqësuese rajonale do të zgjasë 8 muaj duke filluar nga data 18 shtator për të përfunduar në maj. Programi teknik është përgatitur nga trajnerët e ekipeve Kombëtare U-21, U-19, U-17 dhe U-15.
Qëllimi i këtij projekti është rritja e cilësisë së futbollistit mesatar në vend, duke ofruar profesionalizëm e duke nxitur shpresat te më të rinjtë, duke i dhënë mundësinë secilit për ta kthyer një ëndërr në realitet.
Drejtorët Teknikë të çdo shoqate, që janë risia e këtij sezoni, do të jenë hallka që do të bashkojë Drejtorinë Teknik të FSHF me Shoqatat Rajonale në të gjithë vendin.
Drejtori Teknik i FSHF, Fulvio Pea, shpjegon se bëhet fjalë për një moment të rëndësishëm për ekipet përfaqësuese rajonale, që janë edhe baza për zbulimin e talentet të reja të futbollit shqiptar.
“Sot ne kemi prezantuar projektin e Shoqatave Rajonale, që ka pjesën teknike dhe pjesën organizative. Pjesa teknike është ndërtimi dhe zhvillimi për arritjen e objektivit kryesor i FSHF-së që është ndërtimi, përmirësimi cilësinë mesatare të çdo futbollisti shqiptar dhe në pjesën organizative do të analizojmë se si duhet të punojmë me sistemin Comet.
Është një moment shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë me shoqatat rajonale, sepse përfaqësueset rajonale U-13, U-14 dhe U-15 do të jenë baza e ekipeve tona kombëtare të moshave për sezonin e ri. Kështu që për ne është shumë e rëndësishme që në shoqatat rajonale të grumbullohen lojtarët më të mirë, talentet më spikatura, sepse nga aty do të lindin përfaqësueset U-13 dhe U-14, që do të jenë baza e ekipeve tona kombëtare.
Pra, është një projekt ku edhe trajnerët e ekipeve tonë kombëtare Alban Bushi, Ervin Bulku, Ardi Behari e Armand Damo marrin pjesë të koordinuar nga Sulejman Mema, sepse nga ky proces do të zbulohen talentet e reja”, – thotë Pea për Fshf.org.
Edhe Shoqatat Rajonale të Futbollit e kanë pritur mjaft mirë këtë angazhim të Drejtorisë Teknike dhe e shohin si një zhvillim pozitiv në objektivin për të përmirësuar proceset e punës dhe nxjerrjen e talenteve të reja.
“Është një program shumë pozitiv që ka ndërtuar Federata Shqiptare e Futbollit bashkë me Drejtorin Teknik Fulvio Pea. Është kënaqësi të shohësh që ka një angazhim total sa i përket rritjes së cilësisë së këtyre futbollistëve të rinj, në mënyrë që të bëhen në të ardhmen një pjesë cilësore e ekipeve tona kombëtare. Ka një zhvillim shumë pozitiv në rritjen e punës së stafit teknik dhe drejtorisë teknike në përgjithësi. Shpresojmë që ky projekt do të na ndihmojë akoma më shumë në të ardhmen për të zbuluar talentet e reja dhe për të punuar me to deri tek ekipet kombëtare të moshave. Shoqata e Durrësit është duke punuar prej kohësh me këto projekte dhe ka një grup relativisht të talentuar lojtarësh të cilët shpresojmë që në të ardhmen t’i shohim në ekipet tona kombëtare”, – shprehet kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës, Mikel Furxhi.
Në ditët në vazhdim, do të organizohen edhe mbledhje të tjera ku do të diskutohen aspekte të ndryshme të stërvitjes dhe diskutimi do të jetë më i fokusuar te aspekti taktik.
(Video) Drejtori Teknik i FSHF, Fulvio Pea dhe Mikel Furxhi kryetar i Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës, flasin për rëndësinë e ekipeve përfaqësuese rajonale, që janë edhe baza për zbulimin e talentet të reja të futbollit shqiptar)
)