I nisur që me datë 19 gusht në mjediset e “Adriatic Tennis Park” të Shkodrës, Turneu Ndërkombëtar ITF World Tennis Tour Juniors “Shkodra Open 2023” J30 është përmbyllur mbrëmë me dy ndeshjet finale për femra dhe meshkuj, të cilat dhuruar spektakël për të pranishmit.
Në finalen e vajzave në single fituese doli Gresi Bajri nga Shkodra e cila mposhti tenisten nga Italia, Beatrice Veltri me rezultat 6-3 6-3. Ndërsa te djemt pas një ndeshjeje mjaftë intensive dhe interesante Danial Spasov nga Bullgaria arriti ta mposhtë tenistin italian, Marco Bavaro në tre sete 3-6 6-3 7-5.
Në përfundim të ndeshjeve është zhvilluar ceremonia e mbylljes së aktivitetit, ku janë ndarë edhe trofetë përkatës. Të pranishëm kanë qënë edhe nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Rudin Beka, presidenti i Federatës Shqiptare të Tenisit, Ferdinand Sulo, sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Tenisit, Klaus Badeli, përfaqësuesit e Adriatic Tennis Park, Gëzim Galiqi dhe Bled Bilalli, të cilët ndanë shpërblimet për fituesit dhe finalistët.
Vlen të përmendet se Turneu Ndërkombëtar ITF Ëorld Tennis Tour Juniors “Shkodra Open 2023” J30 Shkodër, ishte i pari që organizohet në Shkodër duke u shoqëruar me një mbarëvajtje shumë të suksesshme, për të cilën pjesëtarët e stafit organizues të “Adriatic Tennis Park” të Shkodrës, kanë marrë vlerësime shumë pozitive nga drejtuesit e Federatës Botërore të Tenisit, çka do të thotë se tenisi në Shkodër është në rrugë të mbarë, jo vetem që nxori kampionin Gresi Bajri, por edhe për vlerat organizative duke bërë që në të ardhmen Federata Botërore si dhe ajo Europiane e Tenisit të planifikojnë të tjera aktivitetet ndërkombëtare në qytetin e Shkodrës.
Gaspër MARKU