Superliga e femrave dhe meshkujve luan të premten dhe të shtunën javën e parë
Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Femra dhe Meshkuj nis në fundjavë sezonin e ri të nivelit më të lartë të tij, Superligës, teksa ndeshjet luhen të premten dhe të shtunën. Kështu, tek femrat, kampionia në fuqi, Partizani, e nis të premten pasdite mbrojtjen e titullit në Durrës, aty ku në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”, do të përballet me Teutën, duke nisur nga ora 16:00. Po në të njëjtën orë, Lushnja përballet me Barleti Volejin në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë të Farkës.
Dy takimet e tjera të javës së parë luhen të shtunën dhe, duke nisur nga ora 13:00, Pogradeci pret në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” të Korçës Tiranën, ndërsa në të njëjtën sallë, 4 orë më pas Vllaznia përballet me Skënderbeun vendas.
Ndërkaq, tek meshkujt, gjithçka nis të premten, në ora 17:00, aty ku Elbasani vendas do të presë në Pallatin e Sportit “Tomor Sinani” Studentin, ndërsa një orë më pas, në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, zbresin në parket Teuta vendase dhe Partizani.
Dy takimet e tjera të javës së parë luhen të shtunën dhe duke nisur nga ora 15:00, në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” të Korçës, Skënderbeu pret Vllazninë, ndërsa në ora 19:00, luhet në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga” në Shijak përballja midis rivaleve të viteve të fundit, Erzenit dhe Tiranës.