32 skuadra të kategorisë së parë dhe të dytë përbëjnë 16 çiftet e para të turit të parë të Kupës së Shqipërisë, dy prej të cilëve luhen të martën dhe të tjerat të mërkurën. Vllaznia së bashku me tetë skuadrat e para të sezonit të kaluar janë pushim në ballafaqimet e turit të pare duke u kualifikuar direkt në të dytin. Ndërkohë, emocionet dhe lufta sportive nuk do të mungojë, pasi disa prej çifteve afrojnë interes për t’u ndjekur.
Sipas rregullores së vendosur nga Federata Shqiptare e futbollit, turi i parë i Kupës së Shqipërisë luhet me një takim, ku ekipi fitues kualifikohet në turin e dytë.
Një gjë të tillë e kanë përfituar, Flamurtari dhe Elbasani, të cilët eleminuan respektivisht Luftëtarin dhe Besëlidhjen.
Flamurtari mposhti Luftëtarin me rezultatin 2-0, ku autorët e golave ishin Beqja dhe Di Estefano në minutat 64′ dhe 90’+2′. Ndërsa, portokallinjtë elbasanas mundën lezhjanët e Besëlidhjes me rezultatin 3-0. Goli i parë u shënua në të 41 nga Rami dhe në të 43 Klementi dyfishoi shifrat. Sfida u vulos nga Melo në të 83′.
Ndërkohë, sa i përket skuadrave të qarkut të Shkodrës, të cilat që të tria konkurojnë në kategorinë e dytë, dy prej tyre i luajnë ndeshjet e tyre në transfertë, ku Murlani udhëton në Ballsh për t’u ndeshur me skuadrën më në formë të kategorisë parë.
Në transfertë do të luajë edhe Veleçiku përballë Turbinës së Cërrikut, ndërkohë Tërbuni pret në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës, Vorën. Dueli, Tërbuni-Vora, konsiderohet si ndeshja më fortë e turit të parë, për vetë faktin se përballë Tërbunit të drejtuar nga traneri Altin Xhahysa me një përqindje të madhe të futbollistëve nga Shkodra është Vora, që këtë sezon është konkuruese dinjitoze e kategorisë parë, me një trajner me përvojë si Artan Mërxhyshi duke pasur në dispozicion futbollistë potencialë shkodran, si Rraboshta, Qardaku, etj.
Tre ndeshjet në fjalë të skuadrave të qarkut të Shkodrës, së bashku me çiftet e tjera të këtij turi luhen të mërkurën duke filluar nga ora 13:00.