Saturday, November 23, 2024

(Intervista) Ish futbollisti kuqeblu, Ferid Borshi, optimist për fitore në Korçë. Java e 20-të, Skenderbeu-Vllaznia, të dielen ora 13.00

Lexo

Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Brdariç do të jenë mysafirë në Korçë për tu ndeshur me Skenderbeun vendas në kuadrin e javës së 20-të të Superiores. Për ish futbollistin shkodran që ka fituar trofe me Vllazninë, Ferid Borshi, ndeshja në fjalë duhet marrë seriozisht nga futbollistët kuqeblu, pasi pikët vlejnë me të gjitha ekipet.

Borshi jemi në pragndeshjen Skënderbeu-Vllaznia, sipas jush sa të vështirë do ta ketë Vllaznia për të marrë pikë?

Është me të vërtetë një ndeshje mjaft e vështirë për vetë faktin që 3-4 ndeshjet e fundit ne nuk ishim në të njëjtin nivel si ndeshjet më përpara, por sigurisht unë kam besim tek ekipi për të vetmen arsye që kjo ndeshje nuk duhet të nënvlerësohet. Pikët vlejnë me të gjitha ekipet. Skuadra jonë i ka të gjitha mundësitë dhe mendoj që me ndeshjen me Skënderbeun ekipi do të triumfojë.

Është një ndeshje që ballafaqon dy skuadra krejtësisht të kundërta, Vllazninë që është për titull dhe Skënderbeun për mbijetesë. Do të luajnë rol këto pozita apo do të jetë një ndeshje e hapur?

Do të jetë një ndeshje e hapur sepse edhe ekipi i Skënderbeut synon të marrë 3 pikë për vetë pozitat që ka në tabelën e klasifikimit. Por ne kurrësesi nuk duhet ta marrim lehtë këtë ndeshje, sepse siç e thashë këto 3 pikë vlejnë njëlloj si me Skënderbeun, si me Partizanin, si me Laçin. 3 pikëshi të mban distancën prej 6 pikësh që kemi ndaj rivalëve tjerë. 6 pikë nuk janë pak por sigurisht nuk janë edhe shumë. Kampionati është në vazhdim, është i gjatë, prandaj në asnjë mënyrë nuk duhet nënvlerësuar ndeshja dhe mendoj që 3 pikët me ndeshjen me Skënderbeun do të jenë të tonat.

Borshi, Shkodra me brezin tuaj dhe me ju në formacion ka përjetuar emocione të jashtëzakonshme duke fituar trofe dhe tituj kampion, tashmë duket sikur po rikthehet ajo atmosferë. Keni nostalgji dhe emocione për këtë situatë?

Sigurisht, kam nostalgji për ato vite që kam luajtur me gjithë shokët e mi. Nostalgji sepse ishin vite mjaft të bukura dhe më vjen mirë që jam rreshtuar në ato lojtarë që i dhanë dikça qytetit tonë, por sigurisht një titull që kthehet ndoshta pas 20 viteve do t’i jepte një kënaqësi mjaft të madhe këtij qyteti i cili të them të drejtën është një qytet me një tifozëri të zjarrtë që nuk gjendet në asnjë qytet tjetër të Shqipërisë.

Vllaznia  është më afër se kurrë këtij synimi ku kryeson me 6 pikë diferencë me rivalët e saj, mendoni se mund ta mbajë deri në fund kryesimin dhe të fitojë titullin?

Të them të drejtën, nuk është e vështirë që ta mbajë. Ekipi ka një trajner gjerman, i cili siç duket e ka bashkuar mirë skuadrën, kjo shikohet edhe pas ndeshjeve. Ai i jep kurajo skuadrës si duhet dhe skuadra e do këtë trajner. Mendoj që me këtë loj në grup që janë duke bërë dhe me këtë tifozëri të zjarrtë që kanë, do ta kthejnë titullin kampion në Shkodër.

Ndër skuadrat që e ndjekin Vllazninë, kë shikoni si rivalen më kryesore?

Momentalisht janë Partizani dhe Laçi, por nuk duhet harruar edhe ekipi i Kukësit i cili ka një ekip mjaft të mirë por siç duket nuk po jep një perfomanë të mirë në këtë kampionat. Edhe Teuta gjithashtu është një ekip mjaft i mirë dhe kjo katërshe mendoj se do të rivalizojë deri në fund të kampionatit.

Borshi faleminderit dhe suksese në trajnimin e skuadrave të moshave që aktualisht jeni në këtë detyrë.

Faleminderit dhe i uroj suksese ekipit të Vllaznisë dhe shpresoj që pas 20 viteve të kthejnë titullin në qytetin tonë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img