Tani është zyrtare: Milano do të jetë kandidat për të pritur finalen e Champions League në vitin 2026 ose 2027. Bashkia ka miratuar rezolutën dhe tani pret 6 majin e 2024-s, kur UEFA do të marrë vendimin. Synimi për të aplikuar 10 vjet pas pritjes së edicionit 2016 (të fituar nga Real Madridi i Zidane në derbin me Atletico) ishte paralajmëruar që në verë nga kryebashkiaku, Beppe Sala, por tani ka marrë dritën jeshile përfundimtare.
UEFA njoftoi që në verë se kishte marrë deklarata interesi nga 9 federata për të pritur finalet e kompeticioneve evropiane të klubeve në vitin 2026 ose 2027. Janë gjithsej 8 ndeshje: dy finalet e Champions League, dy finalet e Champions League për femra, dy finalet e Europa League dhe dy finalet e Conference League. Në atë kohë, i vetmi qytet tjetër kandidat së bashku me Milanon ishte Budapesti.