Sunday, November 24, 2024

(Intervista) Gilman Lika, futbollisti që ka luajtur me të dy ekipet, komenton pragsfiden, Vllaznia-Tirana

Lexo

Përballja Vllaznia-Tirana, e njohur si klasikja e futbollit shqiptar po afron. Të shtunën në orën 13.00 do të jetë starti i saj në stadiumin “Loro Boriçi”. Ashtu si edhe shumë të tjerë, me shumë emocion po e pret këtë sfidë edhe ish kapiteni kuqeblu, futbollisti që ka luajtur me të dyja skuadrat në fjalë.

Dihet nga të gjithë se është klasikja e futbollit shqiptar. Pamvarësisht momentit që po kalojnë të dyja skuadrat besoj se do të jetë një ndeshje shumë e bukur. Gjithmonë e ke atë inatin që një ndeshje e tillë luhet pa tifozë, por kështu siç ka ardhur situata nuk ke çfarë të bësh.

Kjo përballje i gjen skuadrat në pozita të ndryshme, Vllazninë kryesuese të kampionatit, dhe Tiranën që ka lëshuar shumë gjatë javëve të fundit.

Kështu ka ardhur situata këtë vit, dhe ne si shkodranë jemi të kënaqur që jemi në këtë pozitë, por të them të drejtën, mendoj se është një ndeshje që do të thotë shumë për vazhdimësinë e ekipit të Vllaznisë. Nuk duhet ta mendojë askush që është ndeshje e lehtë, pavarësisht se Tirana po kalon një moment të vështirë. Rezultatet jo të mira që kanë pasur, si dhe shitja e Ernest Muçit, që për mendimin tim e kanë bërë duke parë se 90% e kuptojnë se e kanë të vështirë për të kaput Europën, kanë ndikuar tek ajo. Por, gjithsesi mbetet Tirana dhe ndaj është një ndeshje e vështirë që duhet vlerësuar në maksimum.

Ndërkohë, pamvarësisht se Vllaznia është me meritë në krye të renditjes, duhet pranuar se ndeshjet e fundit, përfshirë edhe atë me Skënderbeun në transfertë, nuk është shfaqur si më parë. Çfarë ka ndryshuar sipas jush tek skuadra?

Të gjithë njerëzit e kanë parë që në pesë ndeshjet e fundit, Vllaznia nuk ka qënë aty ku jemi mësuar ta shikojmë në ndeshjet e mëparshme të këtij viti, por mendoj se është një situatë normale e kampionatit, pasi çdo skuadër ka atë  rënien e vet. Është e pamundur që gjatë të gjithë kampionatit të jetë me një ritëm shumë të lartë. Por, gjithsesi është momenti për të bërë kthesën, sepse nëse pretendojmë për një gjë të madhe, është moment i tillë për ta bërë këtë kthesë në këtë ndeshje.

Analistët komentojnë cilësinë e dobët e stolit që ka sjellë këto oshilacione në rezultate, si mendoni ju?

Realisht, nuk kam dëshirë që të analizoj nëse e kanë fajin ajo pjesë e lojtarëve që futen në formacion, apo pjesë e stolit, sepse ato janë të gjithë në grup, dhe nuk është momenti nga ne që të përcjellim kritika. Vllaznia, është në një situatë që ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Prandaj, gjithësecili prej nesh, me aq sa ka mundësi duhet t’i japim sa më shumë optimizëm skuadrës, grupit, që të kthehet sa më shpejt tek ajo diferëncë pikësh siç ishte më përpara.

Rikthimi i të pezulluarve me kartonë, por edhe të dëmtuarve është një shans i mirë për atë kthesën që ju thatë më sipër.

Kjo është një nga ato arsye që ekipi nuk ka shkuar mirë, sidomos në atë të Korçës. Për pjesën e parë e kam më shumë, sepse në të dytën, mendoj se shkoj mirë.

Duke qënë se keni luajtur me të dyja skuadrat, Vllazninë dhe Tiranën, do të ishte me interes mendimi juaj, se ku janë më shumë avantazhet që kanë skuadrat ndaj njëra tjetrës në këtë ndeshje?

Vllaznia, mendoj se ka atë avantazhin e momentit negativ që po kalon Tirana. E njëjta gjë mund të pretendohet edhe nga Tirana që mund të mendojnë se Vllaznia është në një moment ‘jo”, dhe ndoshta pak presion është futur tek lojtarët kuqeblu. Kështu, që edhe ato vijnë për ta fituar ndeshjen dhe do të mundohen ta shfrytëzojnë një gjë të tillë.

Dhe, sipas jush, kush është më afër fitores, një parashikim i juaji?

Parashikimet, me thënë të drejtën nuk i kam shumë për qejf. Por, sigurisht, gjithmonë e kam thënë se tifoz jam me Vllazninë, edhe kur kam qënë tek Tirana kam thënë se tifoz jam me Vllazninë. Dhe, këshilla e ime është që duhet ta vlerësojnë maksimalisht këtë ndeshje, sepse, Vllaznisë nuk i lejohen më hapa fals.

Keni qënë lidër dhe kapiten tek kuqeblutë deri tek sezoni i fundit, edhe për këtë sezon ishit në bisedime deri në çastet e fundit, por diçka u prish në fund. Sa ju ka munguar Vllaznia gjatë këtij sezoni?

Sigurisht që mungesën e futbollit në përgjithësi e kam ndjerë këto muaj me thënë të drejtën, por sikur të isha pjesë e ndonjë ekipi që lufton vendet e para do të ishte diçka më mirë. Megjithatë, edhe kjo ka pjesën e vet, sepse më ka dhënë më shumë mundësi kohore të kaloj me familjen, gjë të cilën nuk e kam pasë asnjëherë kaq shumë gjatë karrierës time sportive.

Mund ta quajmë një shkëputje të pjesëshme e Likës, me mundësinë e rikthimit sërishmi në fushë, qoftë tek Vllaznia, apo në një skuadër tjetër?

Të them të drejtën, përveçse e dashuroj futbollin, jam edhe një tip sportiv, nuk e lë veten asnjëherë pa stervitje. Pra, gjatë të gjithë kohës angazhohem me stervitje duke e mbajtur  trupin në formë. Nuk mund të them për një plan, që po pres, apo nuk po pres, por nuk i dihet, ngandonjëherë fati vjen aty nuk e pret, gjithçka mund të ndodhë.

Intervistoi: Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img