Aventura e tij me të kuqtë është mbyllur pa nisur mirë dhe Eros Grezda nuk është më pjesë e skuadrës së Partizanit. Ai iu bashkua me kryeqytetasit gjatë merkatos së verës, si një kërkesë e trajnerit Zoran Zekiç, por gjatë gjithë periudhës ai është ndjekur nga dëmtimet e shpeshta. Edhe në ato moment që ka zbritur në fushën e lojës, me minutazh të limituar, nuk ka mundur të ngjitet në nivelin e kërkuar, duke mbetur shumë larg pritshmërive. Në gjithë këtë situatë, palët kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin, sulmuesi nuk është më pjesë e të kuqve.
Lajmi është bërë i ditur nga Klubi i Partizanit me një njoftim në rrjetet sociale. “Partizani njofton mbylljen e bashkëpunimit me Eros Zrezdën”, – shkruhet në njoftimin e të kuqve të kryeqytetit, që më tej vijon: “Sulmuesi 28-vjeçar dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim kontratën mes palëve. Partizani e falënderon Eros Grezdën për kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe me fanelën e kuqe”, – përfundon njoftimi.
Kështu ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, ka ndërprerë bashkëpunimin me klubin e kuq pa u mbushur gjysma e sezonit më këtë skuadër, si pasojë e formës së tij sportive. Futbollisti ka luajtur 15 ndeshje në total me të kuqtë, duke shënuar vetëm një gol, gjatë pjesëmarrjes në Ligën e Konferencës, në ndeshjen ndaj Atletik D’Eskaldes të Andorrës.