Wednesday, February 21, 2024

(Intervista) Tomas Brdariç, një tifoz kuqezi në “Euro 2024”

Lexo

Shqipëria do të përballet në grupin B të Euro 2024-ës me Spanjën, Kroacinë dhe një personazh që ka një lidhje të veçantë me dy prej skuadrave të këtij grupi, si dhe me vendin organizator, Tomas Bërdariç ka folur të martën posaçërisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Ai beson se Kombëtarja kuqezi e ka potencialin për të dhuruar të papriturën e këndshme në Evropian.

Tomas Brdariç është një ish-lojtar i përfaqësueses së Gjermanisë, vendit që mirëpret “Euro 2024”-ën, ndërsa është me origjinë nga Kroacia dhe ka fituar trofe në Shqipëri. Ai ka folur të martën posaçërisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, duke e cilësuar të fortë grupin e Shqipërisë.

Përshëndetje Brdariç… Si e shikoni ju grupin e Shqipërisë?

Përshëndetje, Po, është një grup interesant besoj dhe mezi po presim ardhjen e këtij Kampionati Evropian, për ta shijuar atë.

A mund ta cilësoni Spanjën si favorite për vendin e parë dhe çfarë e bën atë të tillë?

Mendoj se Spanja është gjithmonë favorite në grupin e saj, që e zotëron shumë topin dhe ka lojtarë shumë të mirë dhe prandaj cilësohet gjithmonë si favorite.

Po përsa i përket kampiones në fuqi të Evropës, Italisë?

Italia po kalon një periudhë të vështirë,  por duhet patur parasysh se ata janë një skuadër turneu dhe, përtej gjithçkaje, pres prej tyre të zhvillojnë një Kampionat të mirë Evropian.

Kroacia është një përfaqësuese që ka bërë shumë mirë nëpër Evropianë dhe Botërorë, por mos është një ekip me moshë të madhe që po shkon drejt mbylljes së një cikli?

Nuk e besoj, deri në Evropian, ka edhe 6 muaj kohë dhe po të përgatiten siç duhet, Kroacia është një kundërshtar i vështirë për këdo.

Keni që trajner dhe keni fituar trofe në Shqipëri… si e shikon Kombëtaren e Shqipërisë në këtë grup të vështirë?

Së pari, jam mirënjohës që kam qenë pjesë e futbollit shqiptar, duke fituar edhe trofe dhe shoh një zhvillim të mirë të futbollit shqiptar, por akoma edhe më të mirë të Kombëtares shqiptare. Mendoj se Presidenti i FSHF-së bëri një lëvizje të zgjuar, duke sjellë Silvinjon si trajner të Kombëtares dhe duke i dhënë atij mbështetje maksimale. Ajo që unë shoh nga jashtë, është se të gjithë shqiptarët janë të infektuar nga futbolli dhe kjo duket sesi festojnë, në fushë e jashtë saj, dhe është sigurisht e bukur ta shohësh Shqipërinë në Evropian.

Shqipëria shkon në Evropian pasi e mbylli grupin në vendin e parë, si kurrë më parë. A ka ajo, sipas jush potencial për të dhuruar të papriturn e këndshme të grupit?

Duke parë, siç e thashë, fushatën eliminatore të Shqipërisë, mund të jetë një grup i vështirë në Evropian, por në verë mund të jetë gjithçka ndryshe në Gjermani, sepse të gjithë lojtarët e Shqipërisë e kanë të qartë përgjegjësinë dhe atmosfera punon për Shqipërinë dhe unë shpresoj që ata të vazhdojnë me të njëjtën ecuri dhe të marrin rezutate të mira edhe në Evropian dhe unë do ta mbështes skuadrën e Shqipërisë edhe në Gjermani.

Gjermania pret Evropianin, por përfaqësuesja gjermane nuk është në ditët e saj më të mira. Sa i vështirë është fitimi i trofeut në shtëpi?

Në Gjermani ne duhet të mos e humbim besimin tek skuadra jonë përfaqësuese dhe të mos ndikohemi nga rezultatet e kohëve të fundit. Megjithatë, në Gjermani ne shpresojmë shumë që do të mund ta fitojmë Kampionatin Evropian, sepse nuk është e pamundur. Për këtë duhet të nisim të fitojmë ndeshje, sepse kur nisim të fitojmë ndeshje, do të kemi shanse për trofe. Por duhet të nisim të kuptojmë kundërshtarët, në mënyrë që të fitojmë ndeshje dhe kur ta bëjmë këtë, do të mundemi ta fitojmë edhe Evropianin.

Faleminderit, Brdariç…

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img