Erald Çinari, sulmuesi shkodran i Shkëndisë së Tetovës, i gjendur për të kaluar festat në vendlindje, është parë në përballjen e fundit të Vllaznisë në stadiumin “Loro Boriçi”, në atë fitore të thellë ndaj Skënderbeut. Madje, ai ka ndjekur edhe miqësoren e 30 dhjetorit mes kuqebluve dhe Besëlidhjes. Shumëkush krijoi një ide edhe të një rikthimi tek ekipi prej edhe nga ka dalë. Megjithatë, ai, një rikthim të tillë, e hedh poshtë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Çinari ka besimin e plotë se Vllaznia do të jetë në katërshen e parë në fund të sezonit, por foli edhe për ambiciet e tij me ekipin e Shkëndisë ku edhe bën pjesë.
Çinari, shijuat ditët e pushimit mes familjes dhe njerëzve të tuaj të dashur. Momenti për t’iu rikthyer punës?
Po, tashmë do t’i rikthehemi stërvitjes së zakonshme me ekipin e Shkëndijës ditën e hënë. Ndoshta kemi pasur pushime pak të zgjatura, por kampionati në Maqedoninë e Veriut rikthehet në mars, jo siç ndodh në Superiore. Megjithatë, nuk i kam lënë pas stërvitjet individuale gjatë këtyre ditëve që kam qëndruar në Shkodër.
Jeni parë në stadium në ndeshjen e fundvitit të Vllaznisë kundër Skënderbeut dhe miqësoren ndaj Besëlidhjes. Gjithmonë pranë ekipit të vendlindjes apo jo?
Patjetër, që sa herë jam në qytet dhe ka ndeshje unë jam në stadium. Vllaznia është ekipi i gjithë shkodranëve dhe nuk humbas rast për ta parë. Ku gjithashtu kam edhe shumë shokë aty që i ndjek sa herë kam mundësi.
Sinjale rikthimi këto nga ana e Çinarit?
Unë jam nën kontratë me Shkëndijën aktualisht dhe një rikthim i imi te Vllaznia apo edhe në Superiore për momentin nuk është në plane.
A ka pasur ndonjë ofertë ndaj jush nga ekipe jashtë rajonit?
Të them të vërtetën ka interesim dhe ofertë konkrete nga jashtë rajonit. Por për momentin nuk mund të zbuloj diçka më tepër se cili është ekipi apo kampionati.
Rikthehemi edhe njëherë te Vllaznia, ku po trajnon me sukses Qatip Osmani. Trajner me të cilin bashkëpunuat sezonin e shkuar te Shkëndija. Çfarë mund të na thoni më tepër për të?
Për profesorin kam një respekt maksimal dhe mund ta them me plot gojën që është një meritë e tij për rezultatet pozitive të Vllaznisë. Jo vetëm si një profesionist, por edhe në aspektin njerëzor ai sjell një harmoni në dhomat e zhveshjes. Prandaj edhe fryma ka ndryshuar së fundmi tek ekipi.
Ku e shihni Vllazninë në fundin e kampionatit? Kë mendoni si fitues të Superiores?
Besoj se Vllaznia do të jetë në garë deri në fund, pasi jam i bindur se do jetë brenda katërshes së parë të kampionatit. Ndërsa si fitues nuk mund të them se shoh një ekip konkret, pasi skuadrat më duken aty-aty në cilësi.
Në fund, Shkëndija e mbylli në vendin e tretë gjysmën e parë të kampionatit. Do të jetë titulli kampion në Tetovë këtë edicion?
Mendoj se duhet të ishim më lart në tabelë, pavarësisht se nuk jemi edhe aq larg me pikë nga vendi i parë. Shkëndijës ia kërkon historia që të jetë në krye dhe kampione. Prandaj ne do e tentojmë deri në fundin e sezonit fitimin e kampionatit. Dhe besoj se i kemi totalisht mundësitë dhe cilësitë për të arritur suksesin në fund.
Admit URUÇI