Akademia e Arbitrimit ka startuar me edicionin e pestë, teksa ka nisur nga puna me kandidatët e rinj që synojnë të bëhen pjesë e botës së bukur të arbitrimit.
Ky proces udhëhiqet nga Sektorit i Arbitrimit në FSHF dhe shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptar të Futbollit (BASHF) që bashkëpunojnë me kolegjiumet e të gjitha qyteteve për të afruar sa më shumë kandidatë, djem dhe vajza.
Në këtë edicion të ri deri më tani janë regjistruar 47 kandidatë, ndërsa aplikimet do të vijojnë të jenë të hapura dhe të gjithë ata që janë të interesuar mund të nisin aplikimet e tyre në akademia@fshf.al.
Në takimin e parë në “Shtëpinë e Futbollit” me disa prej të regjistruarve në këtë edicion të ri të Akademisë së Arbitrimit ishin të pranishëm Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati, Sekretari i Përgjithshëm i BASHF, Klajdi Kola dhe Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci.
Gjithashtu të pranishëm në këtë takim ishin edhe disa arbitra dhe asistentë që arbitrojnë në vendin tonë dhe ndanë eksperiencën e tyre të bukur në botën e arbitrimit me kursantët e rinj.
Drejtori i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci i shpjegoi të pranishmëve të gjitha faza e kursit që duhet ndjekur për të arritur deri në certifikimin si arbitër.
Gjatë kursit pjesëmarrësit do të kenë mundësi të marrin leksione nga arbitrat më me emër në vendin tonë, por edhe nga arbitrat aktivë që gjykojnë sot ndeshje në kampionatin “Abissnet Superiore”. Gjithashtu do të zhvillohen edhe seanca praktike, për të vënë në zbatim mësimet e marra gjatë gjithë kursit.
(Video) Akademia e Arbitrimit, seminar për kandidatët e rinj që synojnë të bëhen pjesë e botës së bukur të arbitrimit.