Kampionati Europian i Atletikës për Sallat e Mbyllura, garat e të cilit po zhvillohen në Torun të Polonisë ka përfaqësimin edhe të atletikës shqiptare. Janë dy atletët e talentuar, Izmir Smajlaj dhe Franko Burraj, të cilët të shoqëruar nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli konkurojnë në disiplinën e Kërcimit së Gjati dhe atë të vrapimit 400 metra. Dy atletët shkodranë kanë ardhur në këtë europian pas rezultateve pozitive të arritur në garat e mëparshme, Ballkaniadën e Turqisë dhe Mitingun Ndërkombëtar të Beogradit ku Smajlaj fitoi medaljen e Artë dhe Burraj të Argjendë.
Sipas programit të aktivitetit, Europiani i Polonisë ka startuar me datë 4 mars dhe prezantimi i parë për atletët shqiptarë ka qënë mbrëmjën e së enjtes kur është zhvilluar gara e Kërcimit së Gjati në të cilën konkuroi edhe atleti kuqezi Izmir Smajlaj. Me cilësinë edhe të kampionit të Europës në këtë garë, Smajlaj që stervitet nga trajneri Gjergj Ruli, kishte pretendimet e veta edhe në garën e Polonisë duke synuar fillimisht përfshirjën në tetëshen finaliste dhe më pas për të vijuar pretendimet edhe më tej drejt zonës së medaljeve. 7 metra dhe 49 centimetra ka qënë kërcimi në provën e parë për shkodranin Smajlaj, ndërkohë që në kërcimin e dytë ai shkon në shifrat 7 metër dhe 69 cm duke e përmirësuar ndjeshëm me 20 cm më tepër kërcimin e tij. Prova e tretë ishte vendimtare për atletin shqiptar në kërkim të kapjes së një rezultati edhe më të lartë që do ta përfshinte atë në mes më të mirëve të kësaj gare. Realisht, kërcimi dhe fluturimi i tij është parë të jetë na parametra optimal. Por, fatkeqësisht gjyqtaria ka konstatuar faull në shkeljen më tepër se duhet të vijës së bardhë mbi pedanë, çka e ka bërë të pavlefshëm këtë kërcim. Kështu që, për Izmir Smajlajn ka mbetur në fuqi rezultati i kërcimit të dytë 7 m dhe 69 cm. Një rezultat ky, i cili nuk ka mjaftuar për tu radhitur atë në tetë më të mirët e kësaj gare që kualifikohen në finale kur atleti i tetë në renditje që e fitoi këtë drejtë ishte në kufijtë e distancës 7 m e 74 cm, pra vetëm me 5 cm më shumë se sa rezultati i Smajlajt. Kujtojmë që vetëm në dy garat e fundit, Izmir Smajlaj ka arritur të kapë shifrat 7 m e 99 cm, që nëse do të arrinte rezultatin e tij të mëparshëm, kualifikimi në finale do të kishte qënë i garantuar, madje edhe me pretendime edhe medalje.
Pas eleminimit të Smajlajt në garën e Kërcimit së Gjati, shpresat e kombëtares kuqezi janë tashmë tek atleti tjetër shkodran, Franko Burraj, konkurimi eleminator i cilit në garën e tij të preferuar në vrapimin 400 metra është zhvilluar paraditen e së premtes. Burraj, i cili stervitet nga trajneri i tij Bruno Rrutani ka qënë pjesë e baterisë së pestë eleminatore dhe në mbyllje të garës ai ka mbërritur i pari në fishish duke fiksuar kohën 47 sekonda dhe 42 të qindtat.
Rivalitetin më të madh, Burraj e ka patur me atletin rumun Robert Parge, me të cilin në Mitingun Ndërkombëtar të Beogradit ndanë vendin e parë me foto finish ku Burraj ishte i dyti. Këtë radhë, në Europianin e Polonisë shkodrani ndërroi vendet me rivalin e tij duke qënë ai i pari, por që sipas rregullores, dy vendet e para të çdo baterie kualifikohen në gjysëmfinale. Kualifikimi në gjysëmfinale i Franko Burrajt është një lajm i mirë për atletiken shqiptare, ndërkohë që shpresat janë edhe për më tej, ku shkodrani Burraj do të kërkojë kualifikimin në finale duke pasur objektiv futjen në zonën e medaljeve.