Trajneri i Partizanit, Orges Shehi, foli për mediat, para ndeshjes së parë në çerekfinalen e Kupës, ndaj Kukësit. Shehi deklaroi se kundërshtari ka përqendrimin maksimal, ndërsa shtoi se kërkohet kualifikimi në gjysmëfinale.
“Derbi ka kaluar para pak ditësh, ka shumë rëndësi për ne, opinionin dhe ambientin këtu brenda kur kalohet me sukses. I gjithë përqendrimi është nesër tek çerekfinalja e Kupës. Ne jemi në fazë që edhe pak mbledhim frytet e sezonit. Dua të shkojmë sa më larg në të dyja kompeticionet e kemi vlerësuar ndeshjen e nesërme që është çerekfinale dhe duam të arrijmë objektivin tonë të radhës të shkojmë gjysmëfinale. Kemi përqendrim dhe vlerësim maksimal.
Duhet të lexojmë situatat dhe t’i përgjigjemi skuadrës. Unë mendoj që kemi dy portierë shumë të mirë, jemi te qetë dhe pa asnjë lloj frike kush mund të jetë në portë. Pano është portieri më i mirë i kampionatit dhe klubi ka investuar tek ai, Albani ka eksperiencë mbi supe dhe prandaj e thërrasim në ndeshje të caktuara.”