Sipas Esin Hakajt, Vllaznia mundi një skuadër direkte për titull dhe fjalën e ka për fitoren me Egnatian.
Mbrojtësi i majtë i kuqebluve, shprehet për “Panorama Sport” se lojtarët i motivoi 105 vjetori i klubit, teksa tregon edhe sekretin e kësaj skuadre. Hakaj është optimist për ndeshjen e Kupës ndaj Erzenit, pasi sipas tij, ky trofe mbetet një objektiv i rëndësishëm për shkodranët dhe një mundësi e mirë për të shkuar në Europë.
Një fitore me shumë vlerë ndaj Egnatias, apo jo?
Po, e vërtetë. Ishte një fitore me shumë vlerë për ne. Më shumë në aspektin psikologjik, pasi mendoj se ia dolëm në një ndeshje të rëndësishme. E kishim përgatitur mirë gjatë gjithë javës. Ia arritëm objektivit sepse ishim përgatitur për të marrë maksimumin dhe mendoj se e arritëm me meritë të plotë. Mposhtëm një skuadër direkte për titull e për këtë mendoj se duhet që të jemi të kënaqur.
Çfarë keni ndryshuar?
Ekipi tani është konsoliduar plotësisht, kemi fituar më shumë besim dhe mendoj se do të ecim mirë. Sekreti i Vllaznisë besoj se është te harmonia që kemi ne si grup. Te një grup që po funksionon si një familje nuk ka ku shkon më bukur. Tani që edhe rezultatet nuk po mungojnë, ne po bëjmë më të mirën për njëri-tjetrin.
Një objektiv është edhe Kupa, luani ndaj Erzenit nesër, çfarë ndeshje prisni?
Pa asnjë diskutim që po. Ne do të kërkojmë që të jemi fitues të saj dhe të sigurojmë përmes saj një vend në Kupat e Europës. Por, për të arritur këtë duhet të bëjmë më të mirën që këtë ndeshje. Një përballje jo e lehtë për ne. Dihet se Erzeni do të kërkojë edhe një mundësi për të qenë në Europë. Por, ne do të shkojmë për të bërë më të mirën dhe për të arritur që të ruajmë këto rezultate pozitive dhe t’i paraprijmë kualifikimit.
Admir URUÇI