Tirana 1-1 Laçi (Lushkja 54′ / Myrta 78′)
Tirana është ndalur në barazim me Laçin në “Elbasan Arena”, me rezultatin që shënoi 1-1, në sfidën e vlefshme për javën e 25-të të Superiores.
Takimi nisi jo mirë për kurbinasit, të cilët mbetën me një lojtar më pak që nga minuta e 18-të. Paulo Junior u ndëshkua me të kuq dhe kjo bëri të mendohej se kryeqytetasit do e kishin të lehtë, por nuk ndodhi kështu. Në të 34-tën, Abazaj lëshoi sinjale në portën kundërshtare, me anë të një goditje të bukur, por pa mundur dot të dërgojë topin në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet me shifrat 0-0.
Sfida u zhbllokua në minutën e 54’ me ish-kapitenin e Laçit, Regi Lushkjën, i cili shënoi falë një predhe duke kaluar në avantazh bardheblutë. Gjithsesi kurbinasit nuk u dorëzuan, teksa golin e barazimit e gjetën në minutën e 78’ me Myrtën, i cili kishte vetëm disa sekonda që ishte në lojë.
Me këtë barazim, Tirana mban vendin e katërt me 35 pikë, ndërsa Laçi renditet i shtati me 30 pikë.