Pas dështimit të së së hënës, shpresat ishin që në takimin e radhës të së martes në mes përfaqësuesve të Liges Profesioniste dhe të qeverisë shqiptare shpresat që futbolli të ketë një dritë jeshile për startin e kampionatit ishin të mëdha. Por, edhe pse takimi në fjalë, ku e pranishme ishte edhe ministrja e financave ka pasur realisht edhe momente bashkëpunimi mes palëve në përfundim nuk ka patur asnjë vendim konkret për fillimin e kampionatit, çka do të thotë se bojkoti i Superligës por në të njëjtën kohë edhe i gjithë futbollit shqiptar të të gjitha kategorive do të vijojë bojkotin deri në plotësimin e kërkesave të parashtruara. Megjithatë, për kreun e Liges Profesioniste, Edvin Libohova çështja në fjalë është një hap pranë zgjidhjes. Sipas tij, problemet që u diskutuan ishin në 2 pjesë, në 3 pikat më pak të rëndësishme, për të cilat u gjetë gjuha e përbashkët.
Sa i përket Ligjit të Sponsorizimit që është dhe “thembra e Akilit” e gjithë kësaj situate, Libohova tha se debatuan duke propozuar dhe gjetur atë që do të jetë më e mire dhe se ditën e premte do të kemi një përgjigje përfundimtare për një zgjidhje e cila do të pranohet edhe nga komuniteti i sportit dhe futbollit për të filluar një epokë të re.
Optimist për zgjidhjen e problemit është shprehur edhe deputeti Fidel Ylli që në këtë rast luan rolin e kordinatorit të qeverisë me Ligen Profesioniste. Pas takimit, Ylli pranoi se në të shumtën e rasteve problemet e Ligës thuajse se janë të zgjidhura, dhe se po diskutohet më shumë vetëm për problemin e Ligjit të Sponsorizimit.
Ashtu si edhe në lidhjen direkte me emisionin Sport Show të së hënës, deputeti Ylli ka folur edhe faljen e borxheve duke sqaruar se për këtë kërkohet një konfirmim edhe nga qeveria përmes një ligji specifik në parlament. Sipas deputetit Fidel Ylli, vendimi që do të merret me mirëkuptim dypalësh do të jetë një vendim që sportit do t’i vlejë për një afat të gjatë.