Një supergol i shënuar nga Peposhi në minutën e 66-të, i dha fitoren minimale 1-0 Teutës ndaj Partizanit. Pas kësaj sfide, për mikrofonat e MCN TV, foli trajneri i Teutës, Edi Martini.
“Ishte shumë e rëndësishme si fitore, sidomos pas eleminimit në Kupë. Ekipi ishte në gjendje jo të mirë mentale pasi ndeshja ndaj Tiranës ishte e pafalshme. Jemi stërvitur mirë, Partizanin e kishim vlerësuar maksimalisht. Shumë e rëndësishme kjo fitore.
Nuk dua të them që mendojmë për lart, jemi me këmbë në tokë. Kemi ndeshjen e rradhës me Tiranën, pastaj me Dinamon. Mund të fitonim me Partizanin në ndeshjen e parë, hap pas hapi me djemtë të ecim e të bëjmë gjithçka për të arritur sa më mirë në fund.
Edhe kur humbisja thoja që e tentojmë katërshen. Nuk dua t’i vë në presion djemtë, e mbaj për vete. Ata të luajnë qetë në fushë dhe pretendimet rriten. Sot bëmë detyrën pasi nuk shoh asnjë dallim nga Teuta ime dhe Partizani”, u shpreh Edi Martini