Në fitoren e Vllaznisë 15 me 9 ndaj Partizanit, ndeshje kjo e luajtur mbrëmjen e së dielës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës për Kampionatin Kombëtar të futsales, kontribuoi më së miri edhe Saimir Hyseni, i cili tundi plot tre herë rrjetën e kundërshtarit.
Në prononcimin e dhënë menjëherë pas ndeshjes, Hyseni shprehet i kënaqur për periudhën dy vjeçare të bashkëpunimit me Klubin e Futollit Vllaznia Futsal. Një përvojë e re kjo për të duke pasur parasysh se karriera e tij sportive ka kaluar me ekipet zinxhir të Akademisë së futbollit Vllaznia, për të vijuar me ekipin e parë, si dhe me disa skuadra të tjera të qarkut Shkodër, por edhe me ndonjë përvojë të shkurtër jashtë vendit.
Tre golat e shënuar ndaj Partizanit, bëjnë që numri i golave të shënuar prej tij në këtë kampionat të shkojë në kuotën e 10 golave. Shifër kjo që sipas Saimirit në ndeshjet e mbetura pritet të rritet akoma më tepër.
Gola këto që shkojnë për publikun që i mbështet vazhdimisht në ndeshjet e zhvilluara, sidomos në Shkodër, por edhe për familjen e tij, dhe kryesisht babain, Edmond Hysenin, prezenca e të cilit është përherë në radhën e parë të tribunës duke qënë një mbështetje morale edhe për të.
Gjatë prononcimit të tij për median, Saimiri, flet edhe për ndeshjen e javës së ardhshme që do të luhet përsëri në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” përballë ekipit kryesues Tirana. Ndër të tjera, ai premton të japë maksimumin në shërbim të ekipit, ndërkohë që beson se Vllaznia do ta mbyllë e dyta si nënkampione e Shqipërisë, gjë që pritet të mundësojë pjesëmarrjen në Kupat e Europës,
(Video) Prononcimin e plotë të Saimir Hyseni, autor I 3 golave ndaj Partizanit, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar Veriu Sport-YOUTUBE)
Gaspër MARKU