Në ndeshjen, Vllaznia-Erzeni, të luajtur mbrëmjen e së premtes në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës ka spikatur edhe një tifoze e flaktë e Vllaznisë. Ajo kishte të veshur bluzën e kuqebluve me mbishkrimin e Ildi Grudës, të cilën e kishte marrë dhuratë pak minuta përpara ballafaqimit në fjalë nga vetë futbollisti shkodran Gruda.
Me ndërmjetësinë e kolegut tonë Agron Isufi, i cili kishte njohje të afërt me të, mësojmë se ajo quhej Rozi Preka. Një shkodrane e cila sot jeton në Firenze të Italisë, por që zemra i rreh vazhdimisht për Vllazninë. Kjo, falë edhe një tradite të kahershme familjare që ajo ka pasur dhe ka në ndjekjen e ndeshjeve të Vllaznisë.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, Rozi, i thotë të gjitha, që nga ndeshja e parë që ka ndjekur në moshë shumë të vogël me të atin në stadium dhe deri tash kur e ëma, në moshën mbi 80-të vjeçare i ndjek plot passion ndeshjet e Vllaznisë në TV dhe Radio duke përjetuar emocione të shumta.
Vetë Rozi, gjatë prononcimit të dhënë, thotë se ardhjen në Shkodër për të kaluar festën e Pashkëve e kishte planifikuar për të premten e ndeshjes Vllaznia-Erzeni, dhe se prenotimin e taksisë e kishte bërë që destinacioni nga aeroporti të ishte direkt për në stadiumin “Loro Boriçi” për të shijuar live emocionet e kësaj ndeshje, dhe më pas të shkonte në shtëpinë e saj në Shkodër.
Shumë e entuziasmuar deri në delir në momentin e shënimit të golit të avantazhit nga kapiteni Bekim Balaj duke tërhequr së tepërmi vemendjen e të pranishmëve në tribunën e “Loro Boriçit”. Por, që më pas, është parë të jetë shumë e drithëruar pas barazimit të Erzenit dhe deri në fund të ndeshjes, që u mbyll me dëshpërimin e saj të rezultatit, 1-1.
(Video) Prononcimin e plotë të tifozës së flaktë të Vllaznisë, Rozi Preka që jeton në Firenze-Itali, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU