Emocionet e ballafaqimit gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Egnatia, apo finalja e parakohshme siç është quajtur në opinionin sportiv sa vijnë dhe shtohen duke iu afruar orës 18:00, e cila shënon edhe startin e takimit.
Në kampin kuqeblu janë gati për të sfiduar Egnatian të cilët në ndeshjen e para të luajtur në Rrogozhinë kanë fituar me rezultatin 1 me 0. Kuqebluve, u duhen dy gola për të përmbysur humbjen e ndeshjes së parë, ndërkohë që me një gol diferencë takimi shkon në shtesë dhe nëse ka përsëri barazi edhe në penallti.
Megjithatë, në deklaratat e kuqebluve, objektivi i tyre është për ta mbyllur çështjen e kualifikimit brenda kohës së rregullt të 90-të minutëshit. Dhe, për t’ia arritur këtij objektivi, Vllaznia do të ketë mbështetjen e madhe të tifozëve, në radhët e të cilëve ka një organizim masiv për të mbushur shkallët e stgadiumit “Loro Boriçi” në mbështetje të skuadrës së zemrës.
Sa i përket formacionit, tekniku Qatip Osmani, pritet të jetë ai që luajti ndeshjen e kaluar në transfertë me Teutën, ku në mungesë të pikave shumë të forta, titullarëve Hakaj dhe Stojanoviç që u ndëshkuan me karton të kuq në ndeshjen e parë në Rrogozhinë, do hedhë në fushë të riun Pusi dhe Jago për pozicionet e qëndrës së mbrojtjes si të krahut të majtë të prapavijës duke i shtuar edhe pjesën tjetër, nga Qarri në portë, për të vijuar me Smajlin, Juriç, Krymi, Alivoda, Boshnjaku, Mala, Balaj, Gruda.