Trajneri i Laçit, Armando Cungu, foli për MCN TV, pas ndeshjes, ku skuadra e tij barazoi pa gola ndaj Dinamos.
Cungu deklaroi se barazimi nuk bën punë për objektivat, por shtoi se do të ishte mëkat po të dilte pa pikë nga ndeshja e sotme.
Përtej dëshirës për të marrë 3 pikët, edhe me problematikat me disa mungesa të lojtarëve bazë të formacionit, një pikë i vlen moralit dhe sakrificës së djemve. Ishte mëkat të dilnim pa pikë nga kjo ndeshje.
Sa i përket objektivave, kjo pikë nuk na vlen shumë. E kërkonim këtë pikë për të përligjur atë sakrificë të djemve në fushë, por jo për ecurinë dhe objektivat tona. Kam javë që i kërkoj djemve që të kenë më shumë qetësi në këmbë.
Sidoqoftë, ka momente të mira të ekipit. Por ka momente oshilacionesh që vërehen edhe nga ana juaj. E kemi dëshmuar që kur kemi pasur topin në këmbë kemi bërë gjëra shumë të mira. Mjafton të përmendim vetëm golin ndaj Vllaznisë, që ka qenë një model.