Friday, November 22, 2024

(Intervista) SAMUEL NIKAJ TRAJNERI AMBICIOZ I SUKSESEVE…

Lexo

Trajneri i njohur, shkrodrani Samuel Nikaj falë punës së tij me përkushtim e profesionalizëm, me rezultatet dhe sukseset e arritura prej tij, ka bërë emër në trajningun shqiptar si një trajner ambicioz dhe i sukseshëm, që mund të drejtoj dhe ta kishte lakmi çdo klub futbolli shqiptar për ta patur në pankinë.

Ai njihet si arkitekt i ndërtimit dhe ngjitjes së skuadrave një ligë më lart, e shpallur ato kampione të ligave ku ato kanë luajtur të drejtuara nga Nikaj, i cili ka qenë trajner i disa skuadrave, që kanë luajtur në të gjitha ligat e kampionatit shqiptar, që nga ekipet e moshave e deri në superligë. Ndoshta është ndër të vetmit trajner që largohet pas arritjes së suksesit, për tu përballur me sfida dhe suksese të tjera, siç dhe merr përsipër përgjegjësi dhe jep dorëheqje, kur nuk i arrin rezultatetet e premtura. Ambicioz dhe sfidues një specialist trajningu ndër më të mirët në rang kombëtar, sidomos në ligën e dytë dhe të parë.

Këmbëngulës dhe racional në punën e tij, ndërtues i një raporti marrëdhëniesh të drejtpërdrejta individuale dhe kolektive me futbollistët në stërvitje, ndeshje dhe jashtë tyre të fokusuara gjithëmonë në shërbim të mbarëvajtjes së punës dhe arritjes së objektivave. Shumë kërkues dhe i rreptë në stërvitje dhe lojë dhe po aq hokatar e i dashur në shoqëri. Një ish futbollist jo aq i sukseshëm, por që po len gjurmë në udhën e trajningut. Familjari model dhe intelektuali vizionar. Trajneri i sukseshëm i Pogradecit, që në vitin e dytë të drejtimit të tij e nxjerr kampion të kategorisë së dytë dhe e ngjet në kategorinë e parë.

Arritët objektivin, ngjitjen e Pogradecit në kategorinë e parë dhe u shpallët kampion i kategorisë së dytë, ku në finale mundët Valbonën. Një panoramë nga kampionati ku Luftëtari ju rivalizoi deri në fund, dhe pastaj për finalen. Si ndjeheni pas këtij suksesi?

Sinqerisht ndihem i lehtësuar pasi përmbusha një mision të veshtireë, që e kisha marrë përsipër. Luftuam fort kundra një kundërshtari që në letër ishte më i fortë se ne, por ishim ne që i’a dolem me sukses. Një sadisfaksion i madh kjo arritje, që do të mbahet mend gjatë në futbollin pogradecar, pse jo dhe e pa arritshme. Plot 20 ndeshje kampionati pa humbje. Ndërsa finalja me Valbonën ishte qershia mbi tortë e nje sezoni fantastik, që ne zhvilluam. Nuk festova shumë, në shenjë respekti për origjinën time nga Nikaj e Merturi.

Jeni ndër trajnerët më të sukseshëm dhe ekspert i ngjitjes së skuadrave një shkallë më lart, cili është çelësi i suksesit në punën tuaj?

Në fakt nuk është se kam ndonjë çelës magjik të veçantë. Thjeshtë punoj me pasion, jam i drejtpërdrejtë me të gjithë bashkpunëtorët dhe lojtarët, shto këtu edhe faktin se jam dhe me fat, që jam gjendur në vendin e duhur dhe momentin e duhur, tek skuadrat që kam drejtuar.

Jo vetëm ju por edhe disa trajner të tjerë shkodranë po spikasin në kampionatin shqiptar në fushën e trajningut, a ju gëzon ky fakt dhe sa ju motivon në punën tuaj?!

Natyrisht mua më gëzon suksesi i çdo shkodrani në të gjitha fushat e jetës, sepse kam lindur e rritur në Shkodër, dhe sidomos sukseset në sport dhe fushën e trainingut. Gëzohem pa masë për sukseset e kolegeve dhe miqve të mij të një gjenerate si; Martini, Cungu, Plori, Krepi, Hasani, Zmijani, Sinani, pa harruar tranjerin e kombëtares së femrave Armir Grimën, që na nderon duke drejtuar në rangun më të lartë.

Sa ka ndikuar ambjenti sportiv në Pogradec, në mbarëvajtjen e punës tuaj dhe cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me të gjitha hallkat; futbollistë, staf teknik, tifozëri, mediat lokale dhe kombëtare, presidencën dhe çdo faktor tjetër?

Në Pogradec jam ndier shumë mirë dhe i mirëpritur. Kam patur dhe kam marrëdhenie shumë të mira me të gjithë faktorët futbollbërës dhe futbolldashës. Edhe ndonjë që me ka sulmuar për arsyet e veta e kam mirëkuptuar, sepse nuk ka pozitë pa opozitë.

Që i bie se keni patur edhe zëra kundra! Si i keni vlerësuar ato dhe cili ka qenë reagimi juaj ndaj tyre?

Ka patur edhe zëra kundër, kuptohet nga individ që mund t’ju jetë prishur diku interesi ose thjeshtë ndoshta nga larg kanë krijuar antipati ndaj meje, por nuk mendoj që ju kam lënë shkak për një gjët të tillë. Është një shprehje e vjetër që thotë: “I dobëti hakmerret, trimi fal, i mençuri injoron”. Në këtë kontekst unë pretendoj ta mbaj veten për trim në kuptimin e mirë të fjalës.

Me aq sa pashë në ndeshjen finale mu duk sikur keni ndërtuar një ekip jo momental por perspektiv. A mendoni se ky grup lojtarësh do të mund ta përballojnë kategorinë e parë?

Kam një grup lojtarësh që luajnë me zemër, dhe jam përpjekur të krijoj një miksim me lojtarë të eksperiencës dhe të rinj të talentuar e me perspektivë. Dhe besoj që 80 % e skuadrës duhet të qendrojnë në ekip, sepse e përballojnë me sukses kategorinë e parë.

Ndonëse është disi herët, a mund të na thoni diçka për të ardhmen tuaj, dhe a do të preferonit të vazhdonit sërish me Pogradecin?

Unë jam një tranjer që kam lëvizur pas çdo suksesi e tani për rastin në fjalë, momentalisht nuk jam ende i qartë, me atë ç’ka dua, por ama një detyrim moral e kam, që ofertën e parë natyrisht në qoftë se do të më behet, do të shqyrtoj atë të Pogradecit, për faktin se një sezon më parë edhe pse nuk e arritëm objektivin për ta ngjitur ekipin në kategorinë e parë, ato ma rinovuan kontratën, duke shtuar besimin tek unë, që falë zotit dhe djersës që kanë derdhur çunat në fushe e arritëm sivjet.

Cilat janë skuadrat që keni drejtuar si trajner dhe kush kanë qenë rezultatet e arritura?

Trajningun e kam filluar me ekipet e moshave 10-13 vjeçare për dy vite, pastaj me U-17 një vit, U-19 dy vite tek Akademia Vllaznia. Për një sezon e gjysem kam drejtuar Adën e Velipojes, pastaj një vit zëvëndës tranjer tek Vllaznia. Më pas kam drejtuar një sër ekipesh të kategorive të ndryshme të futbollit, Mamurrasin që e lashë në vendin e tretë. Tërbunin në Superligë në 8 ndeshje, duke e lenë në vend komod në klasifikim, Besëlidhjen në vendin e tretë. Flamurtarin e Prishtinës në vend të parë. Kastriotin në vend të parë, Vushtrrinë në vend të dytë dhe të parë, Lirinë e Prizrenit në vend të dytë, Burrelin në vend të dytë, Pogradecin vjet në vend të dytë dhe sivjet në vend të parë të kategorisë së dytë, si dhe kthim në kategorinë e parë.

Po karriera juaj futbollistike?

Karriera futbollistike nuk është se më ka ecur shumë. Si futbollist nuk kam patur shumë fat, pasi më kanë shoqëruar njëri pas tjetrit dëmtimet. Kam kaluar te gjitha ekipet zinxhir tek Vllaznia dhe sezonin 1997-1998 kam kaluar në ekipin e parë, pa patur hapësirat e nevojshme. Sezonin tjetër shkova tek Burreli në superligë, ku fatkeqsisht atë vit ramë nga kategoria. Sezonin pasardhës për gjashtë muaj luajta për Beslidhjen, ku nuk pata hapësira dhe u largova për tek Shkodra, ku luajta afro dy sezone e gjysëm, por asnjeherë nuk arrita atë çfarë pretendoja nga vetja dhe u largova nga futbolli i luajtur, për të vijuar karrierën në fushën e trajningut, që besoj kam arritur të krijoj në emër modest në Shqipëri dhe Kosovë.

Kush është Samuel Nikaj, jashtë “botës” së futbollit?

Jashtë botës së futbollit jam njeri i thjeshtë i shoqerisë. Edhe sot e kësaj dite ende vazhdoj të kem shokun më të ngushtë, atë që kam patur që në moshën 10-vjecare, Alban Hasanin. Kohën e lirë e kaloj me shpend, pasi jam i apasionur pas tyre me pëllumba, kanarina, gardalina etj.

Edukimi dhe formimi juaj profesional?

Edukimi im pas atij të mesëm është i gjithi kushtuar sportit dhe veçanarisht futbollit. Kam mbaruar shkollën e lartë për Edukim Fizik dhe Sporte, si dhe zotëroj liçensën më të lartë për tranjer; Atë të UEFA PRO. Gjithashtu ndjek në dinamikë dhe jam i azhornuar me çdo të re nga fusha e futbollit ku studioj pafund për të, pa lënë pas dore edhe fushat e tjera.

Familja, sa ju motivon dhe frymëzon në punën tuaj?

Padyshim që famija ka luajtur dhe luan një rol kryesor që unë ende vazhdoj të jem tranjer, sepse është një zanat që nuk e bën të lehtë jetën e pjestarëve të familjes, kur ka në gjirin e vet një tranjer futbolli, sepse në futboll ka dhe ditë të mira, por dhe të këqija. Suporti i familjes ka ndikuar dhe ndikon tek unë në vijimin e karrierës. Dhe i jam shumë mirënjohës asaj për gjithçka ka dhënë dhe sakrifikuar, që unë të jem ky që jam.

Faleminderit për intervistën dhe suksese në të ardhmen!

Faleminderit juve për suportin dhe mbështetjen që më keni dhënë.

Bashkëbisedoi dhe përgatiti për botim; Martin DEDAJ

Komentator sportiv në Radio-Tirana

Lezhë më, 13.05.2024

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img