Në kampin kroat mendimet janë të gjitha për ndeshjen e radhës. Dueli me Shqipërinë do të jetë delikat për të dy ekipet, të cilat pas ndeshjeve të para të Grupit B ndodhen në vendin e tretë dhe të katërt pa asnjë pikë.
Për të prezantuar këtë takim mes Kroacisë dhe Shqipërisë, në kampin kroat doli përpara gazetarëve sulmuesi Andrej Kramariç. “Nuk dua që të bëj llogari për pikët, të cilat na duhen për të kaluar grupin. Nuk kemi as kohë e as dëshirë të bëjmë të tilla llogari. Tani mendojmë vetëm për një fitore në takimin e radhës pasi pa atë nuk mund të shkojmë gjëkundi. Ndeshja e radhës është më e rëndësishmja, prandaj them se për momentin Shqipëria ka vëmendjen tonë të plotë. Prej nesh priten tri pikët, vetëm pas këtij dueli duhet të mendojmë për Italinë”, tha Kramariç.