Vllaznia vazhdon përgatitjet e saj për ballafaqimet europiane, ku me datë 11 dhe 17 korrik do të ballafaqohet në turin e parë të Conferencë League me skuadrën islandeze, Valur.
Pas pjesës së parë stërvitore të zhvilluar në Shkodër, prej 5-6 ditësh, skuadra është zhvendosur në Bosnjë-Hercegovinës për të zhvilluar atje pjesën më intensive të përgatitjeve për ndeshjet europiane.
Të vendosur në kampingun stërvitor në Medjugorje, kontigjenti kuqeblu i drejtuar nga një staf teknik i zgjeruar me në krye trajnerin Thomas Brdariç ka në program nga dy seanca stërvitore në ditë, ku ajo e paradites i kushtohet më tepër elementit fizik, ndërkohë që pasdite, në program është puna me topin.
Përgjithësisht, situata në kampin kuqeblu duket pozitive, përfshirë edhe kondicionin fizik, ku për momentin nuk shfaqet asnjë futbollist me probleme dëmtimi. Një situatë që e ka lënë të kënaqur edhe trajnerin Thomas Brdariç, i cili duke folur për faqen zyrtare të klubit kuqeblu, është shprehur optimist për ecurinë pozitive të ditëve përgatitore, ndërkohë që ka paralajmëruar edhe zhvillimin e ndeshjes së parë miqësore, e cila është planikuar të luhet pasditen e së premtes në stadiumin e Medjugorjes.
Nga sa bëhet e ditur, kundërshtari i Vllaznisë në këtë miqësore do të jetë ekipi nënkampion i kampionatit boshnjak, Zrinjski Mostar. Një kundërshtar ky i nivelit cilësor, pikërisht për t’i ardhur në ndihmë stafit teknik të testojë futbollistët kuqeblu, prej të cilëve pritet ta dalë edhe formacioni i parë që do të luajë në Kupat e Europës.
Gjithnjë nga burimet brenda klubit kuqeblu, gjatë qëndrimit në Bosnje, Vllaznia pritet të zhvillojë edhe një tjetër miqësore me një nga skuadrat e huaja që është duke u përgatitur në kampingun boshnjak.
Ndërkohë, me fillimin e muajit korrik, Vllaznia pritet të kthehet në Shkodër, ku krahas përgatitjeve të fundit përpara nisjes drejt Islandës për ndeshjen e parë europiane, ka në program të zhvillojë edhe një tjetër miqësore. Në stadiumin “Loro Boriçi” do të jenë mysafir kampionët e superligës malazeze, futbollistët e KF Deçiq, miqësore që ishte planifikuar të luhej dhjetë ditë më parë, por që nuk u realizua për arsye objektive.