HSK Posusje-Vllaznia, është ndeshja miqësore që do të luhet pasditen e së martes në stadiumin “Mostar” të Bosnjes, aty ku Vllaznia është në javën e dytë të përgatitjeve për ndeshjet europiane që do të luhyen me datë 11 dhe 18 korrik përballë skuadrës islandeze Valur.
Takimi në fjalë është planifikuar të luhet në orën 18:00 dhe është i fundit në tokën boshnjake, sepse sipas informacionit brenda klubit Vllaznia, skuadra kuqebludo do të udhëtojë menjëherë pas ndeshjes drejt Shqipërisë duke mbyllur kështu ciklin e përgatitjeve në kampingun sportiv të Medjugorjes.
Një miqësore kjo që pritet të jetë përcaktuese për fatin e emrave që tekniku Brdariç do të përzgjedhë për të aktivizuar në ndeshjen e parë të Conferencë League, e cila do të luhet me datë 11 korrik në Islandë përballë ekipit vendas Valur. Miqësorja e parë e luatur po në këtë stadium përballë nënkampiones së Bosnjes, Zrinjski Mostar, u mbyll me fitoren e Vllaznisë me rezultatin 1 me 0, falë atij goli të shënuar nga kapiteni Bekim Balaj në minutën e katërt të ndeshjes.
Edhe pse tekniku Brdariç është shprehur me nota vlerësuese ndaj lojës së skuadrës së tij në këtë ndeshje, ai ka kërkuar prej futbollistëve të tij që të rrisin akoma më shumë parametrat e tyre, sidomos në aspektin fizik, në mënyrë që skuadra të jetë e gatshme të përballoj me sukses, jo vetem dy ndeshjet e turit të parë, e para në Islandë dhe e dyta në “Loro Boriçi”, por besimi në kampin kuqeblu që Vllaznia i ka shanset dhe mundësitë që të vazhdoj edhe më tej kur, sipas shortit, gjithnjë nëse kualifikohet, në turin e dytë e pret skuadra skoceze.
Sa i përket merkatos, edhe pse pista Ahmeti dështoi, kjo për moskorrektesen e vetë lojtarit, burime pranë presidences, bëjnë të ditur se janë të hapur dhe në pritje për firmosjes edhe me një sulmues. Madje, një alternative serioze është edhe futbollisti Lumala Abdu, i cili prej disa ditësh për stërvitet në gjirin e Vllaznisë, madje edhe është aktivizuar disa minuta në miqësoren e parë, të cilën Vllaznia e fitoi 1 me 0 me nënkampionet e Bosnjes, Zrinjski Mostar.