Trajneri i Laçit, Armando Cungu, analizoi barazimi që skuadra e tij arriti në shtëpi ndaj Tiranës. Në prononcimin e dhënë menjëherë pas ndeshjes, për mikrofonin e “RTSH Sport”, tekniku shkodran u shpreh:
“Terreni nuk ishte i përshtatshëm për të luajtur futboll. Fusha ishte në gjendje shumë të vështira. Me lojtarët që kishim nuk mund të pretendonim të qarkullonim topin. Laçi është një ekip që luan futboll mirë. E vetmja mënyrë ishte për të luajtur me topa të gjatë dhe për ti mbajtur kundërshtarët poshtë. Tirana e bëri këtë gjë më mirë. Na vuri në vështirësi.
Patëm vështirësi. Bullari nuk ka shumë kohë te Laçi. Gjendja fizike nuk ishte më e mira, ndaj ishte jashtë formacionit. Zgjedhja më e përshtatshme ishte Melo. Nuk i parashikuam shirat. Patëm vështirësi për të dalë para, ndaj futëm Bullarin. Na ndihmoi disa herë. Në mesfushë, nuk rikuperonim topa, nuk ishim në kohën e duhur, për t’iu ardhur në ndihmë lojtarëve. Tirana ka rritëm më të madh loje se ne, është stërvitur më përpara se ne. Rezultati ishte pozitiv. Pashë një Tiranë të bukur, ishte rezultat i drejtë për sa i përket lojës së sotme.
Nuk u surprizova nga Tirana, e analizova shumë mirë. Preson shumë lartë. Mund t’i krijonim probleme, por nuk ishte dita dhe mundësia. E pranoj që Tirana është një hap përpara, për sa i përket aspektit fizik.
Nuk jam i qartë pse është nxjerrë jashtë Melo. Brazilianët njihen për këto gjëra, janë sanguinë, në momente të caktuar e humbasin qetësi. Nuk e prisnim të ndodhte ajo gjë. Është lojtar i rëndësishëm për ne. Do na dëmtojë për ndeshjet në vazhdim. Na hap një gropë. Janë situata që ndodhin, nuk duhet ta bëjmë dramatike gjestin e Melos.
Çfarë bëri më shumë Tirana? Nuk është se pati raste pafund”, u shpreh Cungu.