Më herët ka qënë pjesë e skuadrës së Laçit ku ka kaluar dy vite e gjysmë me skuadrën e këtij qyteti, për të cilën ruan kujtime shumë të bukura. Por kjo nuk e pengon Floart Jonuzin që tashmë si kuqeblu të kërkojë një rezultat pozitiv në këtë transfertë të vështirë, përballë një skuadre që e ka mundur dy herë Vllazninë në këtë kampionat. Kukësiani Jonuzi ishte i përzgjedhuri i stafit kuqeblu për të qënë përkrah trajnerit Brdariç në konferencën e sotme për shtyp dhënë në sallën e konferencave të stadiumit “Loro Boriçi”.
“Laçin e vlerësoj maksimalisht, sepse ka një ekip shumë cilësor. Është aty me pikë afër me ne. Duhet ta vlerësojmë, por pa e kaluar vlerësimin. Të shkojmë në Laç dhe të bëjmë një ndeshje të mirë të gjithë së bashku të luftojmë për të marrë një rezultat pozitiv. Rikthehet Gurishta dhe është e vërtetë që është një armë më e fortë për skuadrën. Është kapiteni i ekipit, është forcë për ne rikthimi i tij. Do të na ndihmojë shumë në atë krah, është plus rikthimi i tij, shkojmë me besim të plotë në Laç. Në lidhje me dy humbjet me Laçin, po t’i marrim në analizë, në Laç humbëm me një gol në fund, këtu na kapi euforia e fitores pas barazimit 1-1. Edhe Laçi është një ekip i mirë, kështu që duhet të jemi pak të kujdesshëm. Jam i bindur që nesër do të jetë ndryshe, pasi jemi pretendentë. Shkojmë me tjetër synim dhe tjetër motivim ndaj një ekipi që nuk kemi fituar akoma. Sa i përket fushës së vogël mendoj se nuk është problem, kur jemi mësuar të luajmë në fushë me përmasa të mëdha, atje nuk do të jetë problem. Ne futemi për tre pikë, sepse jemi pretendentë. Nuk kemi frikë, por do të thoja që edhe një pikë është mirë për ne. Të dyja rezultatet për ne janë të mira”, u shprehë ndër të tjera Kukësiani i Vllaznisë, Fjoart Jonuzi në konferencën e sotme të shtypit dhënë 24 orë përpara zhvillit të sfidës, Laçi-Vllaznia.