Sfida mes Dinamos dhe Vllaznisë, e luaj tur në “Elbasan Arena”, u shoqërua nga disa momente pikante, që “Panorama Sport” i sjell për lexuesit e saj.– Numri i të pranishmëve në stadiumin “Elbasan Arena” ishte relativisht i ulët, ku u mbush vetëm një pjesë e tribunës qendrore dhe pak ato të tribunave të tifozërive. Bëhet fjalë për jo më shumë se 700 të pranishëm.
– Duket se në stadium kishte edhe disa tifozë specialë për trajnerin e Vllaznisë, Tomas Brdariç, me një grup të rinjsh gjermanë që panë ndeshjen nga afër.
– Disa turistë të huaj ishin ulur gabimisht para se të niste ndeshja në tribunën “VIP”, aty ku qëndrojnë presidentët, apo edhe drejtues të tjerë të lartë të klubeve. Me ardhjen e këtyre të fundit në stadium, turistët e huaj u detyruan nga stjuardët të largoheshin dhe të uleshin diku tjetër.
– Ultrasit e Vllaznisë erdhën disa minuta me vonesë në stadium, ndoshta për shkak të trafikut gjatë mbërritjes në Elbasan. Me t’u akomoduar në vendin e rezervuar për ta, ata nisën të hidhnin në fushë kapsolla që bënin një zhurmë shumë të fortë, apo edhe tymuese, duke detyruar kryesorin Olsid Ferataj që të ndalte lojën në minutën e 27-të.
– Tifozët e Dinamos për një moment ngatërrojnë gjyqtarin Ferataj, duke menduar se ishte Kreshnik Cjapi kryesor. “O Cjapi, por jepe mo faull”, ia behu tifozi, i cili më pas u lajmërua se bëhej fjalë për Olsid Ferataj.
– Kryesori “injoron” vendimin e anësorit gjatë një rivënieje me duar, me asistentin që e jep në favor të Vllaznisë, ndërsa Ferataj vendos për Dinamon.
– Gjatë një momenti që po kryhej një goditje dënimi për Vllazninë në kufijtë e zonës së rreptësisë, Sali lë portën dhe afrohet te Karamba. “Gardiani” po i jepte udhëzime shtesë, pasi mesa duket diçka po nuhaste nga ajo goditje.
– Fëmijët që kapin topat shpesh luajnë me njëri-tjetrin, duke tërhequr vëmendjen e gjyqtarit të katërt. Ky i fundit shkon te stoli dinamovit dhe u kërkon t’i njoftojnë të qëndrojnë korrekt, duke mos luajtur me top.
– Teknikun dinamovit, Ilir Daja, e zë vapa në pjesën e dytë. Ai heq xhaketën që mbante të veshur në 45 minutat e para dhe qëndron me një bluzë.
– Në fund të ndeshjes, ekipi dinamovit konsumon edhe darkën në stadium, teksa të gjithë lojtarëve iu dha nga një picë.
Vladimir MEMA