Saturday, October 12, 2024

Volejbolli shqiptar në zi! Ndahet nga jeta në moshën 91 vjeçare legjenda e rrjetës, “Mjeshtri i Meritur i Sportit” dhe “Nderi i Kombit”, Vangjel Koja

Lexo

Volejbolli dhe sporti shqiptar në zi, ndahet nga jeta në moshën 91 vjeçare “Mjeshtri i Meritur i Sportit” dhe “Nderi i Kombit” , Vangjel KOJA.

Vangjel Koja lindi në Tiranë në vitin 1933 më 19 prill. Xhela, ashtu siç e njihnin të gjithë ishte një legjendë e gjallë e historisë sportive të volejbollit.

Karriera e tij nisi si atlet më pas si basketbollist, volejbollist dhe duke përfunduar më pas si trajner i skuadrës së famshme, Dinamo në volejboll për meshkuj, duke qenë jo vetëm fitues titujsh kampion, por duke lënë gjurmë të pashlyeshme në përfaqësimet evropiane.

Vangjel Koja e kishte nisur sportin në vitin 1947, kur në moshën 14 vjeçare ishte shpallur kampion me të rinjtë e ekipit të Tiranës në katër gara: hedhje shtize, kërcim së gjati dhe në vrapimet në distancat 800 e 400 metra.

“E kam filluar me atletikën, 400m, 800m, kërcim së gjati, trehapësh. Kam marrë pjesë pesëgarësh. Për trajnerin isha si ajo lotaria, kur i duhej fitorja në kampionatin e atletikës, apo kërcim së gjati, më fuste mua. Gara ime personale ka qenë kërcim së gjati”, – tregonte Xhela.

Në vitin 1956, një direktivë e ardhur nga lart, i detyroi sportistët që të specializoheshin në një lloj sporti. Vangjeli zgjodhi volejbollin. Dhe bëri zgjedhjen e duhur. Fitoi tituj pa fund, u shndërrua në një idhull për volejbollistët e djeshëm dhe të sotëm. Koja u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”, titull i dhënë nga Presidenti i vendit në dhjetor 2003 dhe laureuar gjithashtu me tre urdhra “Naim Frashëri” të kategorive 1,2 dhe 3, ai mbante edhe titullin “Mësues i Popullit”.

Në kohën që ai ishte drejtues i Dinamos, ekipi ka fituar 17 kupa republike dhe 23 tituj kampionësh, nga viti 1965 deri në vitin 1990, u nderua nga televizioni “TeleSport” dhe gazeta “Sport Plus” me çmimin prestigjioz “Medalja e meritës, për rezultate të shkëlqyera në sport”.

Në vitin 2024, Vangjel Koja u nderua nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Z. Erlind Pëllumbi me titullin ” Nderi i Volejbollit Shqiptar”.

Federata Shqiptare e Volejbollit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe miqve të të ndjerit.

Lamtumirë legjendë!, Lamtumirë Mjeshtër!

Karriera sportive e Vangjel Kojës

 VANGJEL KOJA (1933 – 2024)

  • “Nderi i Kombit”
  • “Mjeshtër i Merituar i Sportit”
  • “Nderi i Volejbollit Shqiptar”
  • “Nderi i Sportit Shqiptar”
  • Dekoruar me “Naim Frashëri” I, II, III
  • Diplomuar në A.E.F.S “Vojo Kushi”

(Sot, Universiteti i Sporteve)

  • 1955-1990, trajner i Dinamos, volejboll meshkuj
  • 1965-1990, trajner i ekipi Kombëtar të volejbollit për meshkuj
  • 23 herë kampion më Dinamon,
  • 17 herë fitues i Kupës së Republikës
  • 50 herë fitues i kupave të ndryshme jubilare
  • 2 herë fitues i Spartakiadave Kombëtare
  • 100 ndeshje ndërkombëtare me Dinamon dhe ekipin Kombëtar
  • Vendi i katërt midis skuadrave kampione të Europës në volejboll për meshkuj në vitin 1972

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img