Monday, November 25, 2024

Kosova shkëlqen ndaj Qipros në ‘Fadil Vokrri’. Golat e Amir Rrahmanit, Ermal Krasniqit dhe Emir Sahitit, vulosin fitoren 3-0

Lexo

Kosovë-Qipro  3-0(Shënues: Amir Rrahmani 30’, Ermal Krasniqi 52’, Emir Sahiti 71’)

Në një atmosferë të zjarrtë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kombëtarja e Kosovës arriti fitore mbresëlënëse 3:0 kundër Qipros në Ligën e Kombeve. Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për “Dardanët”, të cilët vetëm disa ditë më parë triumfuan ndaj Lituanisë, me rezultat 2:1. Me këtë sukses, Kosova përforcon vendin e dytë të Grupit 2 të Ligës C me 9 pikë, teksa Rumania kryeson me 12 pikë.

Ndeshja ndaj Qipros tregoi një dominim të plotë të ekipit të udhëhequr nga selektori Franco Foda, me një paraqitje të fuqishme që nuk la dyshime për epërsinë e Kosovës. Goli i parë erdhi në minutën e 30-të, kur kapiteni Amir Rrahmani dërgoi topin në rrjetë pas një lëvizjeje të shkëlqyer, duke kaluar nëpër mbrojtjen kundërshtare dhe mposhtur portierin. Ai u asistua nga Florent Muslija, i cili u fut në lojë herët në minutën e 16-të, pas largimit të Milot Rashicës për shkak të një lëndimi.

Në pjesën e dytë, Kosova vazhdoi të kontrollonte lojën dhe dyfishoi epërsinë me një gol të Ermal Krasniqit në minutën e 52-të. Fitorja u vulos me golin e tretë nga zëvendësuesi tjetër Emir Sahiti në minutën e 71-të, pas një reagimi të shpejtë ndaj pritjes së portierit qipriot që ndaloi fillimisht gjuajtjen e Albion Rrahmanit.

Edhe pse Kosova pati disa raste të tjera për të shënuar, rezultati përfundimtar mbeti 3:0. Ndërkohë, Qipros iu anulua një gol për pozicion jashtë loje.

Kosova do të përballet me dy ndeshje vendimtare në nëntor për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve. Më 15 nëntor, ata do të udhëtojnë në Bukuresht për t’u përballur me Rumaninë, që aktualisht udhëheq grupin, ndërsa më 18 nëntor do të presin Lituaninë në “Fadil Vokrri”.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img