Sunday, November 24, 2024

(Intervista) Futboll Superiore U-21/Vllaznia fiton në transfertë me Dinamon, objektivi titulli kampion. Intervistë me golashënuesin, Uheid Hoxha

Lexo

Me dy gola të shënuar nga Uheid Hoxha dhe Brendon Stafa, përkatësisht në minutat 4-të dhe 84-të, Vllaznia U-21 me trajner Fatjon Hasanin ka mundur në transfertë Dinamon me rezultatin 0 me 2. Për Hoxhën, ky ishte goli i pestë që shënon për kuqeblutë, dhe natyrisht është mjaft i gëzuar.

Urime Uheid për golin dhe fitoren e skuadrës 0 me 2!

Faleminderit, ishte një ndeshje e rëndësishme për ekipin tonë, pasi kërkojmë të mbajmë ritmin me dy skuadrat e tjera, Bylisin dhe Laçin që kryesojnë me 3 dhe 2 pikë më shumë në renditje. Ballafaqimi me Dinamon u zhvillua në një fushë të vështirë, por ia dolëm të kthehemi me 3 pikë në Shkodër.

Konkretisht, si duket rivaliteti me dy skuadrat e tjera, a besoni se do t’ia arrini qëllimit për t’u shpallur kampion?

Lufta me këto dy skuadra, Bylisin dhe Laçin është shumë e fortë. Ne do të përballemi direkt me këto dy skuadra në javët e fundit të kampionatit dhe besojmë se do të marrim rezultat pozitiv për fitimin e titullit kampion.

Ju së bashku me disa kolegë të tjerë jeni pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë, por për mungesë hapësirash në formacion, me mirëkuptimin e dy stafeve teknike, në fazën e dytë po luani sistematikisht me Vllazninë U-21. Madje, ju personalisht keni spikatur duke shënuar edhe 5 gola për skuadrën tuaj. I kënaqur për këtë bashkëpunim dhe aktivizim?

Po, është e vërtetë, ne stervitemi me ekipin e parë, por për të marrur minutat e duhura dhe për të kapur formën sportive, luajmë me ekipin U-21. Mendoj se është një bashkëpunim mjaft i mirë mes të dy palëve me qëllim që të na rrisin neve në aspektin e formës sportive në mënyrë që të realizojmë objektivin tonë për të luajtur në ekipin e parë.

Dhe, në këtë aspekt, si është forma e juaj sportive?

Stërvitja me ekipin e parë si dhe aktivizimi në lojë me ekipin U-21 ka ndikuar shumë pozitivisht në rritjen gjithnjë e më shumë të formës time sportive.

Të kalojmë tek skuadra e parë ku suksesi në gjysëmfinalen me Laçin ka krijuar një atmosferë shumë pozitive, si e përjetuat ju këtë sukses me grupin kuqeblu?

Kemi 12 vjet që nuk shkojmë në finalen e Kupës dhe normal që jemi të gjithë të gëzuar, besojmë se po i rikthejmë qytetit buzëqeshjen, sepse Shkodra jeton me futbollin. Atmosfera ne fushë dhe në dhomat e zhveshjes është shumë e mirë, stafi dhe drejtuesit na kanë mbështetur, gjithçka është Ok. Shpresojmë që edhe në kampionat të marrim më të mirën e mundshme, sepse Kupën besoj se do ta fitojmë.

Ndonëse finalja e Kupës ka kohë për t’u luajtur deri me 30 Maj, por keni filluar të mendoni për finalen me Skënderbeun?

Ndeshje e vështirë, nuk ka finale të lehtë, një takim është 90-të minuta, të gjithë japin maksimimumin, por ne besoj se do t’ia dalim me sukses. Megjithatë, mendoj se ndeshjet duhet t’i marrim me radhë, që këtë javë me Apoloninë në transfertë për kampionat duke u përqëndruar terësisht tek fundjava. Për këtë ndeshje skuadra është gati, nuk ka asnjë mungesë shpresojmë ta mbyllim me sukses edhe këtë ndeshje.

Personalisht, si e shikoni të ardhmen tuaj me Vllazninë, mendoni se do ta bindni trajnerin për të pasur hapësirat e duhura në fushën e lojës?

Mendoj se ëndrra dhe objektivi është për të luajtur këtu me Vllazninë. Do të bëj maksimumin që të qëndroj këtu në Shkodër dhe të bind trajnerët dhe drejtuesit që të na japin shansin e aktivizimit dhe ne t’ia shpërblejmë atyre.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img