Ora 20:45 e mbrëmjes së sotme shënon nisjen e ndeshjes Shqipëri-Çeki, e vlefshme për Ligën e Kombeve. Atmosfera e kësaj pragndeshje ështe tejet e ndezur ku tifozëria kuqezi ka pushtuar sheshet e kryeqytetit shqiptar duke festuar me këngë patriotike.
Epiqëndra është në sheshin pranë stadiumit “Air Albania”, ku dekori kuqezi ka “pushtuar” të gjitha lokalet, me tifozët shqiptarë që vallëzojnë dhe këndojnë këngë patriotike në pritje të futjes në mjediset e stadiumit, ku do të vijonë e njëjta pamje, para, gjatë dhe pas ndeshjes.
E gjithë kjo atmosferë festive pritet të shoqërohet me një fitore tre pikëshe të kombëtares tonë, e cila hap rrugën drejt vendit të parë në grup.