Ora 17:00 e pasdites së sotme afron një përballje tejet emocionuese kur kemi parasysh se në stadiumin “Loro Boriçi” do të luajnë dy skuadrat e traditës së futbollit shqiptar, Vllaznia dhe Tirana.
Në prononcimin e dhënë në prag të kësaj supersfide, trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç ka analizuar gjendjen e skuadrës së tij, ka vlerësuar kundërshtarin, por në të njëjtën kohë ka theksuar se fitorja është objektivi i Vllaznisë në këtë takim.
“Ndeshjet derbi janë derbi, nuk ka rëndësi renditja, kemi avantazh se luhet në shtëpinë tonë. Jemi të përgatitur për këtë ndeshje, jemi të uritur, e dimë rëndësinë e ndeshjes, derbet janë ndeshje speciale dhe na duhet lojë speciale. Mundësia për të fituar nesër është më e madhe se kemi rikthime.”, është shprehur ndër të tjera tekniku gjerman i Vllaznisë, Tomas Brdariç.
Përpos spektaklit që pritet të japin futbollistët në fushën e lojës, një gjë e tillë pritet të jetë edhe në shkallët e stadiumin “Loro Boriçi”, sidomos me tifozërinë kuqeblu që pritet të jetë e madhe në numër, por në të njëjtën kohë, praninë e tyre e kanë konfirmuar edhe tifozët bardheblu.
Për ato që nuk do ta kenë të mundur praninë në stadiumin “Loro Boriçi”, bëhet me dije se klasikja, Vllaznia-Tirana do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH Sport.
(Video) Prononcimin e plotë të trajnerit kuqeblu Tomas Brdariç, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtare, Veriu Sport-YOUTUBE