Bylisi ka nisur vitin 2025 me fitore. Mallakastriotët kanë mposhtur 2-1 kryesuesit e Dinamos në “Adush Muça” dhe marrin një trepikësh të artë, që i ngjit në vendin e 7-të në renditje. Një gol i Berkos në minutat shtesë të takimit, i jep një fitore të çmuar skuadrës së Nevil Dedes.
Një ndeshje e bukur dhe e luftuar është zhvilluar në Ballsh. Dinamo është më kërkuese në minutat e para, por janë vendasit ata që kalojnë të parët në avantazh me anë të Aurel Markut, që shënon edhe golin e parë të vitit në Abissnet Superiore.
Miqtë reagojnë menjëherë në pjesën e dytë dhe barazojnë shifrat me Zabërgjën. Skuadrat hapen në fushë dhe kërkojnë golin e fitores. Si Bylisi edhe Dinamo i afrohen në disa raste golit të avantazhit, por në fund janë mallakstriotët ata që festojnë, pasi gjejnë rrugën e rrjetës me Berkon në minutën e tretë shtesë.
Mbyllet 2-1 për Bylisin, që merr një fitore të artë në luftën për mbijetesë. Pas këtij suksesi dhe humbjes së Laçit në Rrogozhinë, Bylisi ngjitet në vendin e shtatë në renditje, në kuotën e 21 pikëve. Pas 5 rezultateve pozitive radhazi, Dinamo humbet në kampionat, por për momentin vazhdon të ruajë kreun e renditjes.