Rrogozhinasit kanë marrë një fitore 4-0 përballë bardhebluve në sfidën e luajtur në “Arena Kombëtare”. Një fitore që e ngjit prkohësisht Egnatian në vendin e parë, ndërkohë që në kampin tjetër bardheblu, informacionet janë për një dorëheqje të trajnerit Magani.
Egnatia bën “poker” në “Arena Kombëtare”. Në kuadër të javës së 21-të të “Abissnet Superiore”, skuadra rrogozhinase ka arritur një fitore 4-0 përballë Tiranës, duke marrë të paktën për një natë vendin e parë në klasifikim. Situatë e vështirë për bardheblutë, të cilët zhyten akoma më shumë në klasifikim.
Pas një pjese të parë pa gola, ndonëse bardheblutë arritën të gjejnë rrugën e rrjetës me Zharmuni në minutën e 37-të, por që u anullua nga VAR për një faull në sulm, rrogozhinasit e bënë gjithçka të lehtë në pjesën e dytë.
Sfida u zhbllokua në minutën e 60-të nga Ujka, ndërsa 4 minuta më vonë Lushkja dyfishoi shifrat. Një Egnatia e qartë dhe dominuese përballë një Tirane në krizë arriti të shënojë dhe dy herë të tjera, me Bakayoko 80’ dhe Ndreca 94’, duke kompletuar fitoren 4-0.
Me këtë fitore Egnatia ngjitet në kuotën e 36 pikëve, në vend të parë për momentin, ndërsa Tirana në vendin e parafundit mbetet në kuotën e 18 pikëve.