Gjatë homazheve në nderim legjendës së futbollit shkodran dhe atij shqiptar Sabah Bizi pas ndarjes nga jeta në moshën 77 vjeçare, presidenti i KF Vllaznia Alban Xhaferi, në prononcimin e dhënë për mediat, ka propozuar që tribunat e e stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës, të emërtohen me emrat e katër kollosëve të futbollit shkodran Ramazan Rragami, Paulin Ndoja, Medin Zhega dhe Sabah Bizi.
Një propozim i tillë është përcjellë sot zyrtarisht në adresë të Këshillit Bashkiak Shkodër naga e KF Vllaznia.
“Sot Klubi i Futbollit Vllaznia i është drejtuar me një shkresë zyrtare Këshillit Bashkiak Shkodër me një kërkesë për emërtimin e katër tribunave të stadiumit “Loro Boriçi” me emrat e katër figurave të mëdha të futbollit shkodran e shqiptar e konkretisht Ramazan Rragamit, Paulin Ndojës, Medin Zhegës dhe Sabah Bizit.
Një kërkesë kjo si vlerësim për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë prej tyre për klubin tonë dhe futbollin shqiptar në tërësi.”, shkruhet në njoftimin zyrtar të KF Vllaznia, shpërndarë për mediat.