Ish arbitri ndërkombëtar i futbollit, Astrit Dervishi, pjesë e një familje sportive shkodrane, duke nisur që nga babai i tij, i mirënjohuri Qazim Dervishi, futbollist dhe drejtues sporti të periudhës së para çlirimit, si dhe arbitri i parë ndërkombëtar i futbollit, për të vijuar me vetë atë dhe brezin tjetër deri tek djali dhe nipi e tij, që të gjithë të njohur në fushën e arbitrimit risjell në vemendje një pjesë të historisë së sportit shkodran.
Përmes një foto të përzgjedhur nga arkivi i familjes “Dervishi”, Astriti, që krahas arbitrimit, në profesionin e tij është një arsimtar i vjetër, i bën me dije opinionit sportive historinë e formimit të “Bashkimi Sportiv Shkodran”.
“A e dini se!? Shoqnia, “Bashkimi Sportiv Shkodran”, u krijua nga shkrirja e 5 shoqnive të qytetit: “Juventus” , “Studenti”, “Djelmnia shkodrane”, “Gjergj Kastriota”, “Hasan Riza”, dhe si rezultat shoqnia e re si simbol bashkimi kishte nje “yll të bardhë” me pese cepa të qindisun në nji fanellë kuq e blu.
Bashkimi i ketyre 5 shoqnive u bashku në nji të vetme, të qujtun “Bashkimi Sportiv Shkodran”. Në foton ma poshtë(realizuar nga Marubi viti 1935), nga e majta në të djathtë janë: Qazim Dervishi, Muhamet Halili, Asim Golemi”, shkruan në postimin e tij, is arbitri ndërkombëtar i futbollit, Astrit Dervishi.