Një fotografi, por shumë histori brenda saj…Janë pesë vëllezër të një shtëpie, pesë yje të alpeve dhe malësisë së Gjakovës, pesë protagonist të dinastisë Gega nga Tropoja në futbollin shqiptar. Janë pesë djem të talentuar të një burri të madh që në ato anë thirrej baca Osman Gega, falë respektit që gëzonte prej të gjithëve. Djali i parë ishte Ibrahim Gega i lindur në vitin 1944, ish futbollist i Valbonës, por për fat të keq nuk jeton. Po ashtu edhe vëllai i dytë Ismail Gega i lindur në vitin 1946 dhe i ndarë nga jeta, ish futbollist i Valbonës. I treti quhet Halit Gega, lindur në vitin 1958, ish futbollist i Valbonës, më pas u bë shumë i njohur dhe i famshëm si futbollist i Dinamos dhe kombëtares, ndërsa sot jeton në Gjermani. I katerti është Esat Gega, i lindur në vitin 1961, ish futbollist i Valbonës. Ndërkaq i pesti djalë, është Skënder Gega i lindur në vitin 1963, sot trajner i Kukësit, ndërsa dy vite më parë trajner kampion me Partizanin. Skënderi është ish futbollist i Valbonës, Partizanit dhe kombëtares. Kjo fotografi që më erdhi nga Gjermania prej mikut Halit Gega, meritonte jo vetëm vëmendjen time, por edhe promovimin e të tilla vlerave kombëtare që i takojnë një familje të tillë të suksesshme. Homazh atyre që nuk jetojnë dhe respekt të gjallëve që mbajnë të ndezur një vepër të tillë monumentale në sportin shqiptar